Homazhe për akademikun Jani Vangjeli, Gjinushi: Humbëm kontribuesin më në zë të florës shqiptare

Homazhe për akademikun Jani Vangjeli, Gjinushi: Humbëm kontribuesin

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ka marrë pjesë sot në ceremoninë mortore të zhvilluar në ambientet e ASH-së, pas ndarjes nga jeta të akademikut Jani Vangjeli, ditën e djeshme.

Gjinushi në fjalën e tij të lamtumirës, tha se: “Akademia e Shkencave humbi një nga anëtarët e saj më të vyer në shkencat natyrore-teknike dhe një kërkues shkencor të përkushtuar.

Jani Vangjeli u bë një nga vazhduesit e trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të veprimtarisë kërkimore shkencore në fushën e shkencave botanike, të plejadës së profesorëve e studiuesve të shquar Kolë Paparisto, Sali Mborja, Xhaferr Qosja, Ilia Mitrushi, të cilët hodhën themelet e kësaj fushe. Si njohës i shkëlqyer i natyrës ka dhënë ndihmesën e tij të veçantë në njohjen dhe ruajtjen e biodiversitetit”.

Gjinushi tha se: “si njohës i shkëlqyer i natyrës Jani ka dhënë ndihmesën e tij të veçantë në njohjen dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Rezultatet e punës së tij këmbëngulëse i ka paraqitur në botimet e dhjetëra artikujve shkencorë, monografive, teksteve universitare, në konferenca të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndër veprat dhe botimet më të shquara do të përmendnim: bashkëautor në Flora e Shqipërisë e Flora Ekskursioniste e Shqipërisë, drejtues dhe redaktor shkencor i “Excursion Flora of Albania”, botuar në Gjermani në vitin 2015, autor i Fjalorit Shpjegues të Terminologjisë së Botanikës, i Atlasit të Florës së Shqipërisë, vol. I dhe vol II, i Fjalorit të emrave të bimëve. Për veprën e tij madhore “Atlas i Florës së Shqipërisë”, vepër që përbën një domosdoshmëri në studimet e thelluara për florën tonë dhe që do të ndihmoje në studimet e tjera në fushën e pyjeve, kullotave, bimëve aromatike e mjekësore, farmaceutikës, leksikografisë, u nderua me çmimin më të lartë të Akademisë së Shkencave në fushën e shkencave natyrore-teknike, “Petrit Radovicka”.

Pjesë e veprimtarisë së tij të shumanshme janë edhe botimet Pyjet e paprekura të Shqipërisë, Libri i Kuq (Bimë, shoqërime bimore dhe kafshë të rrezikuara), Botanika, Gjeobotanika, si dhe kontributi si bashkautor i Map of the Natural Vegetation of Europe – Hartës së bimësisë natyrore të Europës, i botuar në Gjermani, në vitin 2000”.

Homazhe për akademikun Jani Vangjeli, Gjinushi: Humbëm kontribuesin

EMISIONET