FOTO+VIDEO/ Studentët e Shkupit të shoqëruar nga ambasadori Denion Meidani vizitojnë “Shtëpinë me Gjethe”
Ministri Blendi Gonxhja me studentët e Universitetit “Nënë Tereza” nga Shkupi dhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, vizituam Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, një hapësirë e rëndësishme e kujtesës sonë historike dhe reflektimit mbi të kaluarën.
Vizita u shoqërua me një bashkëbisedim të hapur me të rinjtë mbi rëndësinë e kulturës, trashëgimisë dhe rolit që ata kanë në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Këto takime krijojnë mundësi të reja për shkëmbim përvojash, bashkëpunim dhe ndërtimin e urave të qëndrueshme mes brezave të rinj.
Në këtë kuadër, diskutuam edhe mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, për të zhvilluar programe të përbashkëta që nxisin mobilitetin, pjesëmarrjen aktive të të rinjve, shkëmbimet kulturore dhe projektet që forcojnë lidhjet mes të rinjve shqiptarë në rajon.

Ministri falënderon Universitetin “Nënë Tereza”, Ambasadorin Denion Meidani dhe të gjithë studentët për energjinë, interesin dhe angazhimin e tyre.
Investimi te rinia është investim për të ardhmen dhe për një hapësirë shqiptare më të lidhur, më bashkëpunuese dhe më të fortë.

