Çelet Panairi i 25-të i Librit, botuesit ankohen për numrin e vogël të lexuesve: Shteti të veprojë!
Në ditën e parë të Panairit të 25-të të Librit, Pallati i Kongreseve u mbush me fëmijët e shkollave.
Nxënësit e klasës së gjashtë në Shkollën e Baletit do të kthehen me prindërit për të blerë librat e preferuar.
"Erdhëm për të parë sot dhe më pas të vijmë me prindërit për të blerë".
Botuesit dhe shkrimtarët flasin për një ulje të numrit të lexuesve dhe për këtë fajësojnë çmimet e larta por edhe cilësinë e librave.
"Pavarësisht nga arsyet ekonomike, interneti, njerëzit që e duan librin, kulturën, kombin dhe veten e lexojnë librin."
"Ajo që ishte më e keqja, që e largoi lexuesin nga libri ishte botimi i librave të dobët."
"Rëniet e shitjes së librave, rritja e çmimeve ka ndikuar te shifra që është përmendur kohët e fundit se shqiptarët lexojnë 20%.
Por mbase kjo ka lidhje më shumë me shitjen e librit se librat mund të kalojnë dhe dorë më dorë, mund të lexohen dhe në mënyrë elektronike."
Edhe këti vit, fokusi i Panairit janë botimet për fëmijë dhe autorët shqiptarë.
"Kemi zgjeruar serinë e klasikëve për fëmijë, shqiptarë dhe të huaj. Një nga botimet tona më të bukura është "Kalamajtë e pallatit".
Kemi botime nga shkrimtarja Adelina Mamaqi, për të rritur kemi zgjeruar serinë e klasikëve. Një ngjarje e madhe është dhe përkthimi i Don Kishotit nga Bajram Karabolli, është vetëm me përkthimin e Nolit dhe tani vjen në gjuhën e sotme".
Në edicionin e 25-të, librat në Panair janë me 10 deri në 50% ulje.
"Shkojmë nga 50 deri në 10% që janë në përgjithësi titujt e rinj."
Panairi i Librit do të mbahet nga data 16-20 nëntor në Pallatin e Kongreseve, ndërsa botuesit kërkojnë që shteti të ndikojë më shumë në zhvillimin e festivaleve dhe aktiviteteve që afrojnë lexuesin me librin.