Ekspozita në 137-vjetorin e Mësonjëtores së Pogradecit, Kotherja: Sollëm abetaren origjinale të Sami Frashërit
Mësonjëtorja e dytë shqipe pas Korçës është hapur në Pogradec, një javë më pas më 14 mars të vitit 1887 nga Koço Sotiri.
Por krahas shkollës shqipe në qytetin liqenor funksionoi edhe shkolla e vashave e drejtuar nga një grua, Persefoni Treni.
Prej vitit 1887 dhe deri në 1920, Pogradeci ka lënë gjurmë në rrugën e arsimit dhe për të konkretizuar këto përpjekje të kohës studiuesi i historisë Niko Kotherja solli në këtë qytet një ekspozitë me dokumente, fotografi dhe libra, të cilët materializojnë këto përpjekje për arsim në qytetin liqenor.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Kotherja rrëfeu arsyen e nismës së tij që titullohet “Shkollat Shqipe të Pogradecit në 1887-1920”.
Ai tha se në të janë pasqyruar fotografi, dokumente, imazhe dhe libra origjinalë, të cilat u përcollën për herë të parë tek publiku në kuadër të 137-vjetorit të hapjes së shkollës shqipe në Pogradec.
“Shkolla e dytë shqipe pas asaj të Korçës është hapur në Pogradec, e cila fatmirësisht ka mbërritur e dokumentuar përmes një dokumentimi të jashtëzakonshëm që ka bërë Llazar Gusho, i njohur si Lasgush Poradeci, një dosje voluminoze që ka mbledhur materiale sa i përket shkollës së parë të Pogradecit për vitin 1887.
Një material, i cili është botuar nga vajza e tij Marie Gusho. Nëse ai ka thënë se në këtë shkollë është përdorur abetarja e Sami Frashërit ne kemi sjellë në ekspozitë abetaren origjinale të Sami Frashërit, që është përdorur në shkollën e parë shqipe të Pogradecit”, u shpreh studiuesi Niko Kotherja.