“Dua të kthehem në Rusi para ditëlindjes sime të 75-të”, historia e violonçelistit ruso-armen të dëbuar për 50 vjet

“Dua të kthehem në Rusi para ditëlindjes sime të

Violonçelisti rus, Gago Makichyan, i cili ka prejardhje armene i është shmangur plotësisht aktivitetit politik edhe pas pushtimit rus të Ukrainës. Kjo bëri që të ketë dallim të madh me vëllain e tij, i cili është njëherësh edhe muzikant, Arshak Makichyan. Arshak njihet si një aktivist politik dhe aktivist për mbrojtjen e mjedisit nga ngrohja globale. Ai ka protestuar, gjithashtu, publikisht kundër pushtimit të Ukrainës nga shteti rus i udhëhequr nga Vladimir Putin.

“Unë e mbështes punën e aktivistëve, por aktiviteti thjesht nuk është për mua… Unë e kuptoj vendimin e Arshakut që të zgjedhë rrugën e aktivizimit dhe të lërë pas karrierën muzikore. Unë e kuptoj se sa e vështirë ka qenë për të që ta marrë këtë vendim”, tha Gago në një intervistë për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë. Ky dallim mes vëllezërve nuk është që ka shumë rëndësi për autoritetet ruse, pasi që të dy vëllezërve dhe babait të tyre u janë konfiskuar pasaportat ruse dhe janë përjashtuar nga vendi për 50 vjet, pasi u konsideruan si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare ruse. Përjashtimi dhe humbja e nënshtetësisë ruse, ku vëllezërit pohojnë se erdhi si pasojë e aktivitetit të Arshak Makichyanit, i la këta “pa shtet” duke i detyruar të krijojnë një jetë të re në mërgim.

“Unë nuk kam besuar deri në fund se do të kërkohej nga ne që të largohemi nga vendi. Unë pata planifikuar të jetoj në Rusi edhe pas statusit të dhënë ‘pa shtet’. Unë kam lindur në Moskë dhe jam i martuar me një shtetase rus. Unë asnjëherë nuk kam marrë pjesë në aktivitete kundër vendit. Unë jam shumë i sigurt se nuk ka asnjë arsye paraprake për të më larguar mua nga Rusia”, i tha Gago Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë. Makichyans e kundërshtuan por pa sukses anulimin e nënshtetësisë së tyre, të cilën gjykata e bazoi në falsifikimin e supozuar të dokumenteve të nënshtetësisë më shumë se 15 vjet më parë. Muzikanti 25-vjeçar dhe babai i tij, në muajin shkurt u detyruan të largohen nga Rusia pas dëbimit për 50 vjet, pasi Shërbimi Federal i Sigurisë kishte vendosur se ata janë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare ruse, sipas dokumenteve të shikuara nga Radio Evropa e Lirë. “Me siguri ne jemi dëbuar nga Rusia për shkak të aktivitetit të vëllait tim—nuk shoh tjetër shpjegim për këtë situatë”, tha Gago.

Kërkesë me “mirësjellje” për t’u larguar nga Rusia

Aktivisti 29-vjeçar, Arshak Makichyan, punon së bashku me lëvizjen ndërkombëtare Fridays for Future, e themeluar nga aktivistja suedeze, Greta Thunberg. Ai ishte arrestuar disa herë në Rusi për organizime mjedisore të paligjshme dhe që filloi të protestonte hapur kundër luftës në Ukrainë menjëherë pas pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022. Ishte tetori i vitit 2022, pasi Arshak la Rusinë për Gjermaninë, gjykata në vendin e tij ia largoi nënshtetësinë atij dhe vëllait e babait të tij. “Unë jam ruso-armen dhe nuk jam fashist, prandaj ata janë duke ma larguar nënshtetësinë ruse. Le të luftojmë së bashku për një vend që do të jetë për të gjithë ne, jo vetëm për vrasësit që janë të etur për gjak e që duhet të jenë në burgje,” shkroi Arshak në rrjetin social Facebook.

Po të njëjtën ditë në shkurt, zyrtarët e Shërbimit të Sigurisë ndaluan babanë dhe Gagon në Moskë dhe i informuan ata se e kishin të ndaluar qëndrimin në Rusi për 50 vjet, sipas Gagos, një i diplomuar në Konservatorin Shtetëror të Moskës. “Më është kërkuar në mënyrë të sjellshme të largohem nga Rusia menjëherë. Unë e shfrytëzova këtë mundësi dhe e lashë vendin po të njëjtën ditë”, tha Gago për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë. Një video për Arshakun u postua më vonë në një kanal propagandistik të Kremlinit në Telegram, duke bërë të ditur se shërbimet ruse të sigurisë kishin nën vëzhgim dasmën e Gagos në Moskë një muaj më parë. Ky informacion e forcoi rastin se Mkichyanët ishin në shënjestër për shkak të aktivitetit politik të Arshakut dhe jo për parregullsi të supozuara në pasaportë më shumë se dhjetë vjet më parë. “Me sa duket ata kishin organizuar përgjim ndaj meje”, tha Gago. “E kuptova kur e pashë. Kishte pamje nga dasma ime që u zhvillua në janar të këtij viti – që ishte shumë modeste, pa të ftuar”.

Të shënjestruar

Gago Makichyan, një violonçelist që nga mosha 6-vjeçare, pohon se planet e tij për projekte solo – duke përfshirë publikimin e një albumi – u pezulluan prej kur ai u dëbua nga Rusia. Ai në një postim në Facebook nga java e kaluar tha se pasi u dëbua, udhëtoi menjëherë për në Armeni, ku arriti të merrte një pasaportë udhëtimi që do t’i lejonte të vendosej në Berlin, si dhe një vizë humanitare për në Gjermani. I pyetur nëse raporti i tij me vëllain kishte ndryshuar që nga largimi i detyruar, Gago tha se më parë ata të dy “shpesh nuk kishin kohë të mjaftueshme për njëri-tjetrin”.

“Por, ne kemi një raport të ngushtë, gjithmonë e kemi mbështetur njëri-tjetrin. Tani pas migrimit dhe gjithçka që përjetuam, jemi afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin”, tha ai. Gago i tha Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë, se ai nuk kishte urrejtje ndaj kombit që e kishte deportuar dhe që ia ka ndaluar të kthehej për pesëdhjetë vjet në Rusi. “Nuk ishte Rusia ajo që më trajtoi kështu, por vetëm një strukturë e vogël e sistemit shtetëror… Unë u shënjestrova, por kjo nuk do të thotë se tani do të kem një qëndrim të keq ndaj Rusisë”, tha ai. “Dua të kthehem atje sa më shpejt që të kem mundësi. Shpresoj që të kthehem para ditëlindjes sime të 75-të”, shtoi ai.

EMISIONET