Bienalja e Dakarit, edicioni i 14 mbledh 59 artistë nga e gjithë bota në kryeqytetin e Senegalit
Një nga ngjarjet më të mëdha në botën e artit modern afrikan, “Bienalja e Dakarit”, është rikthyer me edicionin e 14-të, pas katër viteve ndërprerje për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke sjellë qindra vepra të artistëve nga e gjithë bota.
Ekspozitat janë hapur në të gjithë kryeqytetin e Senegalit, në galeri, qendra të artit të bukur, restorante dhe hotele. Tema e këtij viti është “Ndaffa”, që do të thotë "Të dalësh nga zjarri" në gjuhën vendase.
Një nga artistët, piktori britaniko-nigerian Tunji Adeniyi-Jones, tha se ishte frymëzuar nga koha në Senegal:
“Përthitha gjithçka në mjedisin tim dhe kjo u shfaq në disa piktura që ishin pak më fluide dhe ekspresive.”
Një tjetër artiste nigeriane, Tyna Adebowale, tha se ishte e prekur nga sa e mirëpritur ndihej në Senegal. Puna e saj është një eksplorim i feminizmit:
"Senegali është ky shpirt shumë i bukur. Hyn në një hapësirë ku nuk e kupton gjuhën, por ndihesh si në shtëpi, dhe është bukur.”
Ekspozita kryesore po mbahet në “Ancien Palais de Justice” në Dakar dhe marrin pjesë 59 artistë nga afro 30 vende.
Një vepër, e artistit nigerian Ngozi Ezema, përmban qindra tela të veshura me copa balte të varura në ajër. Nga këndi i përparmë skulptura merr formën e një çajniku.
Një tjetër vepër e mrekullueshme e artit gjendet në vendkalimin bregdetar të Dakarit, një notar i kuq nga artisti senegalez Diadji Diop. Skulptura simbolizon daljen nga pandemia dhe një moment për të marrë frymë.
Artistët e tjerë që marrin pjesë në festival janë nga Shtetet e Bashkuara, Mali, Ruanda dhe Franca etj. Bienalja e Dakarit, e cila filloi më 19 maj, do të zgjasë deri më 21 qershor.