Berati tërheqës në çdo stinë, turistët gjallërojnë qytetin

Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, vijon të zgjojë interesin e turistëve në çdo stinë të vitit, duke u renditur ndër destinacionet më të vizituara në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale pamje të qytetit “të pushtuar” nga vizitorët edhe në këto ditë qershori me temperatura të larta.
Fluksi i turistëve ndihet kudo në qytetin mbi 2500-vjeçar, ndërsa për të lehtësuar lëvizjen e tyre, bashkia e Beratit ka vendosur në dispozicion tre autobusë elektrikë, dy mjete ‘buggie’ dhe gjashtë stacione karikimi.
Rrugicat me kalldrëm të Kalasë dhe lagjet historike të Mangalemit e Goricës mbeten pikat më të frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj, të cilët tërhiqen nga trashëgimia kulturore, muzetë, kishat dhe xhamitë që mbart qyteti.
Interes të veçantë turistët tregojnë sidomos për muzetë e qytetit, ku njihen me historinë dhe vlerat e trashëgimisë kulturore.

Përveç turizmit historik, Berati tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë edhe për turizmin natyror dhe atë të aventurës.
Zonat përreth qytetit, si fshatrat turistikë me agroturizme të zhvilluara, mali i Tomorit, ujëvara e Bogovës dhe kanionet e Osumit, janë tashmë pjesë e rëndësishme e ofertës turistike.
Zgjerimi i paketave turistike përtej qendrës historike ka ndikuar në rritjen e kohëqëndrimit të vizitorëve, të cilët tashmë zgjedhin të kalojnë disa ditë në Berat dhe rrethinat e tij. Kjo tendencë ka sjellë edhe shtimin e strukturave akomoduese në qytet dhe zonat përreth.
Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë funksionale. Prej tyre, 60 janë monumente kulture të kategorisë së parë, ndërsa pjesa tjetër monumente të kategorisë së dytë të mbrojtjes.


