“Banka e Ankesave”, romani i Zija Çelës, libri më i mirë për "Panairin e Librit 2022

“Banka e Ankesave”, romani i Zija Çelës, libri më

"Me romanin "Banka e Ankesave" shkrimtari i njohur Zija Çela u shpall shkrimtari më i mirë i vitit në panairin e librit 2022.

ANKESA JUAJ? E GJENI NË “BANKËN” E ROMANIT - Mehmet KRAJA
Gjatë jetës, me siguri keni bërë ndonjë ankesë me shkrim në institucione. Ku ndodhet ajo tani? Në romanin tim, pikërisht në një institucion sa të çuditshëm, aq centralizues, të ashtuquajturin Banka e Ankesave. Është diku në regjistrat e hyrjeve, në raftet e arkivit, në bodrumet e kaldajës, në dosjet e njerës prej drejtorive, në radhën e pritjes, radhën per t’u lexuar, pastaj për t’u skualifikuar apo kualifikuar, pastaj për t’iu kaluar një drejtorie tjetër, një nëpunësi që merret me shqyrtimet, pastaj… Po thoni se kanë kaluar tri, shtatë, dhjetë vjet e s’keni marrë ende pergjigje? Po thoni se ankuesi, fqinji juaj, teksa priste më kot u plak, u sëmur e ndërroi jetë? Kjo është puna e tij, Banka do ta asgjesojë atë ankesë, sepse nuk merret me të vdekurit. Funksioni i saj i fshehtë, prandaj i pashpallur, përqendrohet në tjetër synim. Meqë qytetarët janë berë kërkues të bezdisshëm ndaj instancave të pushtetit, për t’ia lehtësuar punën Qeverisë, aherë le t’i heqim qafe duke i ushqyer me iluzionin e rrejshëm se do t’u zgjidhet ankesa, derisa shpresa t’u vdesë për së gjalli… Kur zhvillohen ngjarjet? Sot e tërë ditën. Ku është skena e veprimit? Tek ne e njëkohësisht ngado, sepse ekziston edhe Banka Botërore e Ankesave… Dhe të gjitha këto përmes historive jetësore, dramave të prekshme, ndërdyshjeve, tërheqjes a dorëzimit, britmës e dhembjes së pafundme. Ja si e paraqet romanin shkrimtari i mirënjohur Mehmet Kraja, i cili e lexoi që në dorëshkrim.


LEXUESI NGAREND I PADURUR…

Romani “Banka e Ankesave”, ashtu si shumica e romaneve të Zija Çelës, vjen si një alegori e fuqishme, ku shkrihen kontekste dhe referenca të vështira të realitetit jetësor. E këto gjithnjë të shprehura me groteskun e mbindërtuar mjeshtërisht nga autori, duke lënë te lexuesi shijen e këndshme të përjetimit artistik të një rrëfimi pavetor universal.

Sipas këtij leximi, të gjithë në këtë botë jemi pjesë e një mekanizmi tragjikisht të kurdisur nga një forcë supreme, e cila nuk ndalet kurrë, duke ushtruar mbi ne vullnet sipëror, qoftë ai pushtet që na keqpërdor brutalisht, qoftë fat që na nëpërkëmb pamëshirshëm.

Kjo vepër e Zija Çelës mund të jetë subjekt krahasimi me romane që nxisin asociacione të largëta me autorë, si Kafka, Oruelli ose Kadare (“Procesi”, “1984”, “Pallati i ëndrrave”), por në arkitekturën e tij dhe në shtresimet metaforike romani “Banka e Ankesave” është po aq origjinal dhe i papërsëritshëm.

Vepra duket sikur është shkruar për një lexim të tipit përfshirës, i tillë që të mos marrësh frymë derisa të arrish te faqja e fundit.

Në këtë pikë shkrimtari Zija Çela ka një përvojë të shkëlqyer: të gjithë librat e tij të bëjnë të përfytyrosh lexuesin që ngarend i paduruar, jo për të kaluar nga një faqe në tjetrën, por për të mbajtur të pakëputur fillin e rrëfimit, për ta shuar kureshtjen me bëmat dhe fatin e personazheve, mbi të gjitha, për të kapur ritmin e frazës e cila, si gjithmonë e gdhendur me shije të hollë, vjen e zhdërvjellët dhe me plot referenca kuptimore të bartura ose të drejtpërdrejta.

EMISIONET