Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, mesazhe paqeje dhe shprese në vigjilje të Pashkës
Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra përcolli sot mesazhe paqeje dhe shprese në vigjilje të festës së Pashkës.
Në mesazhin tradicional të Pashkës, Imzot Angelo Massafra nënvizon se jemi në një botë të copëtuar nga lufta dhe të pushtuar nga fantazma e një konflikti të mundshëm në shkallë të gjerë.
Një mesazh shprese, sipas tij “na ndihmon ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe na largon çdo frikë për të ardhmen”.
“Po përjetojmë, sot si asnjëherë më parë, se sa e vërtetë është që, pasi e kemi hequr Zotin nga bota jonë, nga mendimet tona dhe nga zgjedhjet që duhen bërë çdo ditë në sferën personale, politike dhe shoqërore, gjithçka priremi që ta shohim zi.
Sa të këqija na tregojnë lajmet çdo ditë! Për ta është burim fitimi (sepse e keqja përbën lajm dhe shitet shumë), por për ata që ushqehen me këtë të keqe është helm vdekjeje.
Megjithatë e keqja është aty, ajo është e vërtetë; kështu ka qenë gjithmonë dhe nuk kemi pse të habitemi”, shprehet ai.
Arqipeshkvi i Shkodrës u shpreh se “feja na ndihmon që të kemi përpara syve tanë përvojën e Pashkës së Krishtit; nuk na bën që t’i mbyllim sytë përpara të keqes, por na bën që ta kuptojmë më mirë atë dhe të orientohemi kah e mira”.
“Jezusi vdiq në kryq për të na ngjallur në një jetë të re.
Ai që e mirëpret Jezusin në jetën e tij është një person i ri, i aftë për të bërë atë që është e mirë dhe atë që është e drejtë.
A nuk është kjo ajo çfarë i duhet botës sonë: çfarë është e mirë dhe çfarë është e drejtë?
Ai e mori të keqen tonë për ta shndërruar në të mirë, për të na shpëtuar dhe shëruar”, tha Imzot Angelo Massafra.
Arqipeshkvi i Shkodrës uroi që të gjithë ta përjetojnë dritën shkëlqyese të Pashkës të Krishtit, gëzimin e Tij dhe aftësinë për të qenë “pasqyra”, që e reflektoni atë në botën ku jetoni.