Aktori Alban Ukaj rrëfen për suksesin në Kanë dhe potencialin e filmit shqiptar

Aktori shqiptar nga Kosova Alban Ukaj, protagonist në filmin “Tori dhe Lokita”, me regji të Jean-Pierre & Luc Dardenne, film ky i cili u përfshi në programin konkurrues të “Festivalit të Kanës”

Në një lidhje të drejtpërdrejt në RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, Ukaj ka rrëfyer emocionet në Kanë si dhe për suksesin e filmit.

Ai tha se në botën e artit nuk mund të gënjesh, ndërsa shtoi se kinematografia shqiptare është lënë pas dore.

Alban Ukaj: Kam pasur një emocion të veçantë. Në Kanë kisha shumë takime, por ajo që ishte më e rëndësishme është se edhe unë në Kanë e pashë për herë të parë filmin në sallë me 2800 shikues të tjerë. Një artist i mirë ose është i mirë kudo, ose nuk është artist i mirë. Ajo që na mungon ne është logjistika, mungesa e agjendave. Ne jemi të lënë pas dore. Por  në botën artit, nuk ka gënjeshtra. Kur e shohin filmin, të vlerësojnë ose jo aty. Mund të them që kinematografia shqiptare, duke mos e marrë parasysh periudhën e komunizmit në Shqipëri, apo periudhën e ish-jugosllavisë në Kosovë, është ende e virgjër. Por besoj me një potencial të madh dhe me suksese që vlejnë të theksohen këto vitet e fundit.

Në Kosovë ekziston një numër i madh i autorëve dhe regjisorve që kanë një stil të veçantë, dhe nuk futen një kallupet e përbashkëta. Sot nuk ka festival të kategorisë A apo B që nuk përmendet kinematografia shqiptare.

Përgatiti Anila Kolgjini.

EMISIONET