Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk mund të ketë një marrëveshje për detin me Greqinë pa miratimin e presidentit Meta.

Rama u shpreh se është presidenti ai i cili firmos marrëveshjen dhe që më pas ka mundësinë ta dërgojë dhe ta apelojë në Gjykatën Kushtetuese.

Edi Rama: ’Nuk ka se si të bëhet një marrëveshje kur nuk ka det, nuk ka firma, nuk ka vula, kur nuk ka procedura. Marrëveshja shkon nga grupi negociator në qeveri, nga qeveria te presidenti, presidenti ka thënë do e çojë në Gjykatën Kushtetuse, dhe pastaj nga Gjykata Kushtetuese ratifikohet në parlament. Kush e ka këtë karrem, është komplet trupeshk.’’

Nga Vlora, ku mori pjesë në në ceremoninë e vendosjes së kurorave me lule në memorialin e Luftës Kombëtare të Vlorës 1920, kryeministri tha se nëse do kishte marrëveshje, presidenti Meta do ishte në dijeni.

Rama tha se nuk ka marrëveshje me Greqinë, dhe se negociatat janë ndërprerë pas ndryshimit të qeverisë në shtetin fqinj.

Edi Rama: ‘’Jam i bindur se presidenti e di shumë mire që ja fut kot. Po të kishte një marrëveshje, patjetër presidenti do kishte dijeni për të. E përsëris edhe një here për ata që duan të dëgjojnë dhe jo për ata që bien në grepat e atyre që bëjnë politikë me kap ça t’kapësh. Nuk ka marrëveshje, negociatat me Greqinë janë ndërprerë qysh pas ndryshimit të qeverisë në Greqi, janë ndërprerë pa asnjë përfundim. Me qeverinë e re greke, ne nuk kemi rifilluar negociatat, do të thotë që nuk kemi ende marrëveshje.”

Sipas Ramës, deklarata e kryeministrit grek Mitsotakis ngatërroi gjithçka, dhe se kjo histori po bëhet qesharake dhe e turpshme.

Edi Rama: ‘’Ngatërresa e një deklarate e kryeministrit të Greqisë të kryeminsitrit grek në parlament, që nuk ka lidhje me Shqipërinë, por ka të bëjë me konceptin e të drejtës për t’u shtrirë në 12 milje aty ku e lejon territori. Gjë që në zonën mes nesh dhe Greqisë nuk është e mundur fizikisht. Është kthyer në një karrem për të peshkuar. Është një histori qesharake dhe e turpshme. Më shumë nuk di çfarë të them.’’

Lexo edhe: Kufiri detar me Greqinë, Meta: Kujdes me deklaratat në publik, mund të përdoren në dëm të vendit