Kanë kaluar 18 ditë që kur presidenti Ilir Meta ju drejtua me një shkresë zyrtare kryeministrit Rama ku i kërkonte iformacion rreth diskutimeve mes tij dhe homologut grek për çështjen e kufirit detar por në zyrën e Presidencës nuk ka mbërritur ende një përgjigje.

Një fakt të tillë e bëri me dije vetë Meta gjatë një komunikimi me gazetarët.

Kreu i Shtetit refuzoi një koment të drejtëpërdrejtë mbi propozimin e kryeministrit që kjo çështje të zgjidhet me ndërmjetësimin e një pale të tretë apo në një gjykatë ndërkombëtare, por theksoi se kufiri detar me Greqinë duhet caktuar sa më shpejt në të mirë të dy vendeve dhe dy popujve tanë.

Meta iu përgjigj edhe akuzave të mazhorancës ndaj tij për qëndrime të dyfishta për “Detin”, duke ju referuar si mistrecllëqe.

Meta: Lidhur me çështjen në fjalë që është një çështje sensitive prej 12 vjetësh midis Shqipërisë dhe Greqisë por është një problem mjaft i ndjeshëm dhe brenda vendit për vetë historinë që ju e dini, presidenti ka qenë gjithmonë koherent dhe bashkëpunues me qeverinë, isntitucionet tona pasi të gjithë përfaqësojmë një palë dhe detyrat e secilës palë apo institucion i ka përcaktuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti në mënyrën më bashkëpunuese i ka plotësuar të gjitha detyrimet e tij dhe ka qenë gjithnjë shumë bashkëpunues me qeverinë. Prej gati 20 ditësh kemi dërguar një kërkesë zyrtare në përmbushje të detyrimeve që ka presidenti për një çështje të tillë. Ende nuk kemi ndonjë përgjigje, ne jemi të duruar.

Nga ana e institucionit të presidentit në drejtim të kryeministrisë dhe qeverisë kanë shkuar edhe kërkesa, edhe informacione të tjera më parë për këtë çështje të cilat nuk kanë marrë një përgjigje. Presidenti asnjëherë nuk ka luajtur dhe nuk luan me një çështje të tillë apo çdo lloj çështje që ka të bëjë me marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pavarësisht nga mistrëcllëqet për të provoruar presidentin edhe përë këtë çështje, qëndrimi i presidentit ka qenë tepër i qartë, respektimi i Kushtetutës, vendimit të gjykatës Kushtetutese dhe bashkëpunim me të gjithë institucionet tona. Presidenti nuk mban qëndrime as të dyfishta dhe as të trefishta, presidenti ka vetëm një qëndrim: Të zgjidhet sa më shpejt në mënyrë që kjo çështje të jetë burim mirëbesimi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë përgjithmonë. Jo të minojë këtë marrëdhënie përmes qëndrimeve të pasinqerta që ndryshojnë në vazhdimësi sipas konjukturave të çastit këtu dhe më gjerë. Për mua miqësia me Greqinë në veçanti por edhe me gjithë fqinjët e tjerë është mjaft e rëndësishme të mbrohet, të zhvillohet dhe të forcohet.