Mjekët që kurojnë aktivistin e opozitës ruse Alexei Navalny thonë se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Ekipi i aktivistit thotë se ai u helmua me çaj pak para se të hipte në avion të enjten e kaluar. Kremlini u përpoq fillimisht ta ndalonte transportimin e tij në Gjermani, por për kryeopozitarin ndërhynë kancelarja Merkel e presidenti Macron.

Kreu i sëmurë i opozitës ruse Alexei Navalny mbërriti në një spital të Berlinit për t’u mjekuar. Ai ndodhet në koma pasi piu atë që mbështetësit e tij dyshojnë se ishte një çaj i helmuar dhe akuzojnë autoritetet se u përpoqën ta fshehin krimin.

Mjekët në Siberi këmbëngulën se Navalny është shumë i sëmurë dhe nuk mund të fluturojë, por më pas thanë se gjendja e tij është e qëndrueshme. Gjatë fluturimit ai u shoqërua nga bashkëshortja e tij Yulia. Avioni sanitar i paguar nga organizata joqeveritare Cinema for Peace mbërriti në Berlin dhe më pasi Navalny u dërgua në spitalin Charité.

Themeluesi i organizatës “Cinema for Peace”, aktivisti Jaka Bizilj, u tha gazetarëve se gjendja e Navalny-t është “shumë e rëndë.

“Nuk bëhet fjalë për shpëtimin e tij. Tani çështja kryesore është se çfarë lloj dëmtimi i është shkaktuar dhe a mund t’i kthehet normalitetit plotësisht.”

Zoti Navalny u sëmur të enjten e kaluar gjatë kohës që fluturonte nga Tomsk drejt Moskës. Avioni u detyrua të bënte ulje të detyruar në Omsk.

Një fotografi e shpërndarë në mediat sociale tregon Navalny-n duke pirë çaj në aeroport përpara fluturimit. Ekipi i tij dyshon se në çaj është hedhur lëndë helmuese.

Aktivisti opozitar Navalny është kritiku më i ashpër i presidentit Vladimir Putin. Ai ka denoncuar plot skandale korrupsioni të biznesmenëve të afërt me Putinin dhe njerëzve që kanë lidhje të forta me Kremlinin.