Ditën e sotme (16 shtator) Kryenegociatori për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Zef Mazi, u takua me Ministrin e Jashtëm Përplotësues të Republikës Greke, Varvitsiotis.

Mazi dhe Varvitsiotis zhvilluan konsultime për bashkëpunimin e mëtejshëm në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Dy zyrtarët e lartë diskutuan ndikimin e vendimit pozitiv të Këshillit Evropian në mars 2020 për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Duke e përshkruar atë si një vendim madhor, historik, për Shqipërinë, Kryenegociatori theksoi se Shqipëria vazhdon të përmbushë konkluzionet e Këshillit me përgjegjësi dhe vendosmëri edhe më të madhe për të dhënë rezultate.

“Falenderoj ministrin Varvitsiotis për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme të Greqisë për arritjen e konsensusit në takimin e Këshillit në Zagreb për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo na ka dhënë një impuls për të rigjallëruar përpjekjet tona për të ecur përpara me vendosmëri dhe angazhim të plotë drejt hapit tjetër, atë të miratimit sa më shpejt të jetë e mundur të kornizës negociuese për vendin si dhe për organizimin dhe mbajtjen e Konferencës ndërqeveritare këtë vit.

Qeveria dhe populli shqiptar e vlerësojnë shumë mbështetjen e Greqisë. Ne kemi ura të shkëlqyera komunikimi-  si minoritetin grek në Shqipëri dhe shqiptarët të cilët jetojnë në Greqi dhe të cilët janë integruar në mënyrë të shkëlqyer.  Ne diskutuam me ministrin lidhur me përmbushjen e reformave të shtetit të së drejtës, të cilat janë shumë të rëndësishme për BE-në dhe shtetet anëtare si dhe për Komisionin.

Shpresojmë që sukseset, rruga e ndjekur deri tani do të vazhdojë. Por, ne shpresojmë që edhe BE-ja të njohë atë që Shqipëria ka bërë deri tani dhe atë që synon të bëjë në të ardhmen. Diskutuam edhe për zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes dy Ministrive të Jashtme me qëllim që t’i japim një shtysë procesit të integrimit të vendit në BE.”

Dy bashkëbiseduesit ranë dakord të vijojnë kontaktet e ngushta, përfshirë duke mbikëqyrur zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për Përshpejtimin e Procesit të Integrimit të Shqipërisë në BE, për të vazhduar diskutimin mbi çështjet e lidhura me BE-në, përfshirë mbështetjen politike për Shqipërinë për të hedhur hapin tjetër të mëtejshëm në rrugën e BE-së, si dhe për të dhënë mbështetje teknike për negociatat e ardhshme.