Qeveria e Kosovës po procedon për ngritjen e misionit të parë diplomatik në Izrael.

Pëlqimin për një ambasadë në shtetin hebraik, kryeministri Avdullah Hoti ia përcolli të martën kreut të shtetit, Hashim Thaçi.

“Izraeli është partner strategjik i Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve vjen si rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë,” theksoi kryeministri Hoti në letrën zyrtare.

Kosova dhe Serbia muajin e kaluar u zotuan t’i normalizojnë marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, dhe me kërkesë të presidentit amerikan, Donald Trump, t’i hapin apo zhvendosin ambasadat përkatëse në Jerusalem.

Këto qëndrime u qortuan nga Bashkimi Europian që lajmëroi se dy vendet po rrezikojnë rrugën e integrimit në BE pasi po binin ndesh me çdo shtet tjetër anëtar për çështjen e kryeqytetit që e pretendojnë si Izraeli, edhe Palestina.

Në kuadër të marrëveshjes së 4 shtatorit, qeveria kosovare miratoi një ditë më parë edhe planin për zbatimin e saj, për ndërtimin e “Autostradës së Paqes”, linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd, për rrjetin celular 5G dhe për shfrytëzimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit për ujë ose për prodhimin e energjisë.

Të martën, kryeministri Hoti adresoi edhe ecurinë e dialogut në zyrat e Brukselit, duke i kthyer përgjigje emisarit të posaçëm, Miroslav Lajçak, për nevojën për ndryshime kushtetuese për të vënë në funksion Asociacionin e Komunave Serbe.

Kjo çështje ka stopuar dialogun por Hoti kujtoi se objektivi i Prishtinës mbetet njohja reciproke.

 “I dini parimet që ne i kemi vendosur për procesin e dialogut që nuk bisedohet për çështjen e shkëmbimit të territoreve dhe kjo është hequr nga tavolina e bisedimeve, parimi i dytë është se nuk preket karakteri unitar i Kosovës dhe marrëveshja duhet të jetë  gjithëpërfshirëse obligative që i adreson të gjitha çështjet në mes dy vendeve me pikën e parë drejtë njohjes reciproke.”