Ka përfunduar takimi virtual i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ka qenë vetë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ai që e ka konfirmuar këtë gjë.

Lajçak tha se palët janë pajtuar edhe për agjendën e takimit të radhës të enjten e ardhshme.

“Ne sapo përfunduam takimin virtual mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Hoti. Kam kënaqësinë të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është kthyer në binarë pas 20 muajsh”, – tha Lajçak.

Ai më pas ka shtuar se si rezultat i takimi të sotëm jemi pajtuar për elementet kryesore të procesit.

“Jemi pajtuar po ashtu për agjendën e takimit të radhës i cili do të zhvillohet në Bruksel të enjten që vjen me pjesëmarrjen personale. Dua të falënderoj të dyja palët për angazhimin e tyre konstruktiv sot”, – shtoi Lajçak.

Në takim gjithashtu do të marrin pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel, dhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Këto takime virtuale, pritet që të pasohen nga një takim personal i nivelit të lartë në Bruksel të enjten më 16 korrik.