Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti shprehu shqetësimin lidhur me grumbullimin e qytetarëve të premten mbrëma, (31 korrik) në disa qendra të Kosovës, duke paralajmëruar se potencialisht, për shkak të këtyre grumbullimeve, numri i të infektuarve mund të rritet pas dy javësh – interval kohor ky që përkon me kohën e inkubacionit të koronavirusit të ri.

Permes një postimi në facebook u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin turmat, të evitojnë përshëndetjet me shtrëngim duarsh, të mbajnë distancën dhe higjienën personale, me qëllim që të mos përhapet më tej koronavirusi.

Në Kosovë, deri më 31 korrik janë regjistruar 8,330 raste me koronavirus. Prej tyre, 226 persona kanë vdekur dhe 4,578 janë shëruar. Vetëm dje Kosova regjistroi 15 te vdekur nga koronavirusi.

Mesazhi i kryeministrit

Të dashur qytetarë,

Dje ne e uronim njëri-tjetrin në familjet tona, ndërsa mjekët, infermierët dhe stafi tjetër mbështetës kujdeseshin për të dashurit tanë të prekur me COVID-19. Ata po e rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë, kur hyjnë në dyert e spitalit ku shërbejnë.

Mbrëmë ka pasur grumbullim të qytetarëve në disa qendra, që është në kundërshtim me masat e ndërmarra nga Qeveria, masa këto të rekomanduara nga IKSHP-ja. Në gjithë atë masë të njerëzve është e sigurt se ka pasur të prekur me COVID-19, që mund të jenë pa simptoma. Kushdo që ka qenë prezent aty, ka gjasa maksimale të ketë marrë virusin. Kjo nënkupton se në dy javët në vijim qindra qytetarë që do të kërkojnë trajtim në spitale nga po të njëjtit mjekë, këshillat e të cilëve nuk po i respektojnë.

Policia dhe inspektorati janë në terren për të mbikëqyrë zbatimin e masave, por ata nuk mund të na ruajnë nga vetja jonë. Secili nga ne duhet të jetë polic dhe inspektor. Kur shkoni në dyqan, në furrë, në restorant, në komunë, e kudo tjetër, të siguroheni se janë plotësuar kushtet që ju vetë të mos infektoheni dhe të mbroni të tjerët.

Qëndroni në shtëpitë tuaja, festoni në familje, në mënyrë që të ruani familjen tuaj, miqtë dhe të tjerët. Qëndroni larg turmave, mbani maskën jashtë shtëpisë, e në veçanti në ambiente ku ka qytetarë. Mbani gjithmonë distancën prej dy metrash. Mos përshëndetni me dorë. Mbani higjienën dhe përdorni dezinfektues duarsh. Rrugë tjetër nuk ka, derisa nuk zbulohet vaksina.

Të angazhohemi të gjithë së bashku që të ruajmë të dashurit tanë.
Me respekt,