Kryetarja e LSI, përmes një postimi në rrjetet sociale, uron presidentin e ri të SHBA, Joe Biden pas certifikimit të tij në Kongres një ditë më parë.

Sipas Kryemadhit, edhe zgjedhja e Kamala Harris si zv/presidente është një arritje për gratë në SHBA dhe shembull i mirë për gratë në botë.

Monika Kryemadhi: Në emër të LSI kam kënaqësinë të uroj Presidentin e Zgjedhur të SHBA zotin Joe Biden për fitoren e tij dhe Zëvendës Presidenten e Zgjedhur, zonjën Kamala Harris për zgjedhjen e saj, si një arritje historike për gratë në Amerikë dhe një shembull i shkëlqyer për gratë nëpër botë.

LSI qëndron dhe mbështet një mjedis kombëtar dhe rajonal që qeveriset nga shteti i së drejtës, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, nga pavarësia dhe profesionalizmi i sistemit të drejtësisë, një ekonomi e tregut të lirë dhe nga një sistem arsimor solid.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri strategjik i Shqipërisë dhe unë pres të punojmë së bashku me Administratën e re për të afruar vendet tona e për realizimin e synimeve të përbashkëta.