Tirana, Fieri dhe Durrësi, qarqet me numrin më të madh të mandateve,  duket se do të jenë beteja kryesore elektorale e LSI në zgjedhjet e 25 prillit.

Kryetarja e kësaj partie, Monika Kryemadhi,  duke folur nga Durrësi në një takim me Kryesinë e LSI-së në qytetin bregdetar, i dërgoi një mesazh kryeministrit Rama se LSI jo vetëm do të dalë forcë e parë por e paralajmëroi se do të “thyejë hundët” nëse tenton të deformojë votën e qytetarëve.

Monika Kryemadhi: Jam e  bindur se gara do të jetë mes Tiranës, Fierit dhe Durrësit kush do të jetë i pari. Kemi një garë shumë të madhe me grupin e Tiranës, po kështu një garë shumë të madhe me grupin e Fierit, është garë idesh dhe jo garë votash.

E ardhmja e fëmijëve të shqiptarëve është më e rëndësishme se e ardhmja politike e kujdo politikani qoftë ky duke filluar nga kryeministri ynë i degraduar për të vazhduar më pas me gjithë shpurën e tij.

Përfitoj nga rasti të përshëndes të gjithë suflerët e kryeministrit të degraduar që në Durrës jo vetëm do ta ketë LSI-në forcë të parë por do ta ketë LSI në Durrës avangarde për të ndryshuar politikën e krimit që ka instaluar në Shqipëri. Do të thyejë hundët jo vetëm Edi Rama por kushdo që do të kërkojë të deformojë votën e qytetarëve shqiptarë.

Kryemadhi shtoi se detyra e LSI është krijimi i një vizioni dhe i një plani konkret për t’i rikthyer Durrësin qytetarëve të Durrësit.

Kryemadhi: Për ta shkëputur dhe për të ndarë njëherë e përgjithmonë politikën nga krimi, nga baltosja e të gjithë misionit në qytetin e Durrësit, një nga qytetet që për hir të së vërtetës sot ka më shumë rëndësi se sa qyteti i Tiranës, për shkak të pozicionit të tij, për shkak të influencës që ka jo vetëm në politikën shqiptare, por edhe për shkak të influencës që ka në ekonominë shqiptare e në krijimin e vendeve të reja të punës, i cili sot është uzurpuar, është grabitur nga një grup njerëzish që jo vetëm ka krijuar një situatë ekonomike dhe një situatë dhe ka krijuar një situatë problematike për vetë banorët e qytetit të Durrësit. Kjo situatë tjetërsohet dhe zhvillohet në çdo qytet të Shqipërisë.