Kriza ekonomike nga pandemia e koronavirusit ka ndikuar dhe në rritjen e borxhit të jashtëm bruto i cili gjatë tremujorit të dytë është zgjeruar me rreth 710.4 mln euro duke arritur nivelin historik prej 8.9 miliardë eurosh.

Banka e Shqipërisë konstaton se rritja e këtij treguesi u ndikua nga zgjerimi i borxhit të jashtëm publik në terma afatgjatë.

Në muajin qershor u emetua eurobondi me vlerë prej 650 mln eurove dhe në të njëjtën kohë paketa ekonomike e qeverisë në ndihmë të bizneseve për përballimin e krizës nga pandemia me një hua afatgjatë prej 139.3 mln SDR në prill.

Sipas të dhënave të raportuara nga Banka e Shqipërisë qeveria e përgjithshme ka shënuar zgjerimin më të madh të detyrimeve gjatë tremujorit të dytë.

Ajo zotëron rreth 50 përqind të totalit të këtij borxhi ose ndryshe 4.45 miliardë euro nga 3.7 miliardë që ishte në tremujorin më parë.

Krahasuar me fundvitin e 2019, borxhi i jashtëm bruto me qeverinë u zgjerua me rreth 699 mln euro nga të cilat 121 mln i takon rritjes së huave afatgjata, ndërsa 578 rritjes së detyrimeve në formën e obligacioneve.

Që nga tremujori i parë i vitit 2019 e deri në tremujorin e parë të këtij viti borxhi i jashtëm bruto ishte regjistruar me rënie duke iu rikthyer rritjes vetëm përgjatë muajve prill, maj dhe qershor.