Kriza ekonomike, Lazimi: Jemi në fazën ku po prekim dyshemenë

Kriza ekonomike, Lazimi: Jemi në fazën ku po prekim dyshemenë

Pas raportit të Bankës Botërore, në një intervistë për Ora News, përballë gazetares Matilda Mcini, eksperti i ekonomisë Majlind Lazimi ka komentuar situatën në vend.

Sipas tij, ky është një vit kur ekonomia shqiptare pritet të prekë dyshemenë.

“Fakt është se, tani kemi një ekonomi në recesion. Zyrtarisht, e provuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, BERZH, FMN, Bankës së Shqipërisë. Ajo që nuk është ende e konfirmuar është se, sa do të jetë goditja ekonomike, -7%, 8 apo 9.

Fatkeqësisht ky është një vit që ne jemi në fazën ku po prekim dyshemenë. A kemi shanse që duke nisur nga viti 2021 të kemi një rritje të ekonomisë? Shanset janë të mira por duhet të shohim deri në fund të vitit.

Po të shohim raportin e Bankës Botërore, një gjë ishte shumë e trishtë por e vërtetë, pritet një përkeqësim i situatës së varfërisë. Pra, nga 35,5% që është sot varfëria relative, mund të jetë 41% si shifër. Praktikisht do të thotë se do të kemi një shtim me 5% të popullsisë.  Në terma absolutë do të thotë se rreth 150 mijë qytetarë shqiptarë deri në fund të vitit mund të bëhen më të varfër seç janë sot.

Goditje e madhe ka marrë edhe biznesi i vogël e i mesëm. Jo vetëm që janë mbyllur 35 mijë biznese dhe 75% e xhiros dhe fitimit të këtyre bizneseve, është fakt që është reduktuar”, tha ndër të tjera Lazimi.

Sipas tij, ndërhyrja e qeverisë për të ndihmuar ekonominë ka qenë e pamjaftueshme.

Frika ime është çfarë masash po marrim ne për të amortizuar këtë lloj zbritje të ekonomisë shqiptare? Mos kemi një zbritje si të një avioni, dramatike, por të kemi një zbritje të butë. Pasi të ulemi të shohim çfarë burimesh kemi për tu ringritur. Fatkeqësisht, ndërhyrja që është bërë këtu, me implementimin e parasë publike, i referohem shifrave zyrtare, e gjithë shuma, përfshirë paketën e parë, paketën e dytë dhe të tretë që nuk kishte, është rreth 1% e GDP-së. Pra, 100 milionë euro. Kjo është e pamjaftueshme”, u shpreh eksperti i ekonomisë Majlind Lazimi.

Sipas Lazimit, është sfidë e opozitës por edhe e gjithë shoqërisë për të dalë nga kjo krizë.  

/a.r, OraNews

Ekonomi Lajme Ora News intervista recesion ekonomia eksperti majlind lazimi

EMISIONET