Gjendja shëndetësore e aktivistit të opozitës ruse Alexei Navalny është stabilizuar dhe mjekët vendosën që ai të lërë spitalin. Megjithatë, pas konfirmimit të helmimit me agjentin nervor noviçok, mjekët e kanë të pamundur të vlerësojnë pasojat afatgjata për shëndetin e tij.


Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, ka lënë spitalin Charite në Berlin ku u trajtua pasi u helmua në Rusi me agjentin nervor noviçok. Ai ra në koma ndërsa gjatë një fluturimi nga Siberia për në Moskë dhe më pas u dërgua në Berlin.

“Gjendja e pacientit është përmirësuar mjaftueshëm duke mundësuar që ai të lirohet nga kujdesi spitalor. Bazuar në përmirësimin e gjendjes së pacientit, mjekët besojnë se shërimi i plotë i tij është i mundur. Megjithatë, është ende shumë herët për të vlerësuar efektet e mundshme afatgjata të helmimit të tij të rëndë”, thuhet në njoftimin e spitalit.

Qeveria gjermane tha se analizat e zhvilluara në disa vende europiane, treguna se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor Noviçok dhe Perëndimi kërkoi njëzëri shpjegime nga Rusia.

Por Moska tha se është ende herët dëshmuar prova të një krimi dhe ka refuzuar të hetojë rastin. Gjithashtu qeveria ruse mohon çdo përfshirje në helmimin e aktivistin të opozitës ruse.

Më herët, presidenti francez, Emmanuel Macron ka kërkuar një shpjegim “të shpejtë ” nga Moska për helmimin e Aleksei Navalny.

“Ne nuk do të tolerojmë përdorimin e armëve kimike në Europë, në Rusi ose në Siri”, tha Macron ditën e parë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Më herët kancelarja gjermane Angela Merkel dhe të tjerë udhëheqës europianë e amerikanë kanë kërkuar që Rusia të japë përgjigje për këtë çështje.