Kritika për vettingun në polici, Këshilli i Europës ngre shqetësime për shkarkimin e drejtuesve të policisë

Kritika për vettingun në polici, Këshilli i Europës ngre

Strukturat e Këshillit të Europës shprehin shqetësimin për vettingun në policinë e shtetit duke evidentuar rrezikun që ky proces të largojë nga detyra drejtues të kualifikuar. Grupi i shteteve kundër korrupsionit i Këshillit të Evropës rekomandon që në vend të vettingut të aplikohet vlerësimi periodik i drejtuesve dhe efektivëve gjatë qëndrimit të tyre në detyrë.

Vettingu në policinë e shtetit cilësohet si një proces i padobishëm nga strukturat e Këshillit të Europës.

Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit i Këshillit të Europës shpreh shqetësime për procesin e vettingut në policinë e Shtetit.

Një raport i publikuar për Shqipërinë thekson se vettingu rrezikon të largojë nga radhët e Policisë së Shtetit drejtuesit e kualifikuar.

Raporti rekomandon që procesi i filtrimit të zyrtarëve të policisë të zëvendësohet me kontrolle periodike të integritetit gjatë kohës që ushtrojnë detyrën.

Deri më tani janë përjashtuar nga policia e shtetit 4 drejtues, mes të cilëve Arben Frashëri dhe Besim Shabani, vendimet e të cilëve janë kontestuar për shkak të kualifikimeve dhe përvojës së punës që ushtronin prej më shumë se 20 vitesh.

Një tjetër problematikë që raporti evidenton janë dhuratat që mund të marrin drejtuesit e kupolës së policisë apo deri tek efektivët e thjeshtë, duke rekomanduar kufizimin e qartë të këtyre dhuratave.

GRECO propozon të ndryshohet praktika e emërimit të drejtuesve të nivelit të mesëm, sipas të cilëve të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe jo nga Ministria e Brendshme.

Shqipëria ka kohë deri në prill 2022 për t’i adresuar këto rekomandime. Ndërkohë të enjten Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dha vendimin e radhës në procesin e vetingut në polici, duke  konfirmuar në detyrë Pëllumb Seferin.

Drejtori i Marrëdhënieve me jashtë në policinë e shtetit, Pëllumb Seferi, është zyrtari i 31 i policisë që kalon në filtrin e vettingut.

Ndonëse u konstatua me probleme pasurie, ai u rikonfirmua pasi dyshimet për burimin e pasurisë u faktuan nëpërmjet dëshmitarëve.

Në kuadër të vettingut në polici janë konfirmuar në detyrë 22 drejtues të tjerë policie, 4 kanë dhënë dorëheqjen dhe 4 të tjerë janë përjashtuar.

Vendi Lajme Kronike vettingu ne polici

EMISIONET