Teksa i gjithë vendi është tronditur nga ngjarjet e shumta kriminale të ditëve të fundit, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, nga Gjirokastra ku mori pjesë në prezantimin e forces së posaçme “Shqiponja”, u kërkoi mediave dhe qytetarëve të mos krijojnë histeri.

Sipas ministrit,  vrasjet në vend janë të shumta por ato nuk mund të bëhen 0 përderisa këtu vazhdojnë të jetojnë njerëz, raporton Ora News.

“Rendi është në parametra optimal. Ngjarjet janë të rënda, të papranueshme dhe po punohet fort për zbardhjen e tyre sa më shpejt. Duke patur parasysh që Policia shqiptare ka një nivel shumë të lartë të zbulueshmërisë së ngjarjeve kriminale, që shkon në 90% në shumicën e rasteve. Sidomos në krimet e rënda, kalon 90%, jep arsye të plotë se zbardhja e tyre do të bëhet pa hezitim dhe në thellësinë e tyre”, tha Lleshaj.

Lleshaj komentoi edhe situatën mbi kanabisin në vend duke kërkuar që në referencë të merren të dhënat e Eurostat.

“Unë e kam ndarë mendjen që, Shqipëria nuk ka kanabis, në kuptimin e një plage të madhe shoqërore, që jemi mësuar ta kemi. Sigurisht tentative për të mbjellë do të ketë, për sa kohë do të ketë njerëz”, tha ministri.

Prononcimi i plotë i Lleshajt:

Ministri Lleshaj: Lidhur me rendin, dua t’ju them që situata e rendit dhe e sigurisë publike në Shqipëri është në parametra optimalë, pavarësisht ngjarjeve të fundit. Ngjarjet janë ngjarje, por ngjarjet nuk janë të atij niveli sa të përmbysin situatën. Pra duhet të bëjmë një dallim midis tablosë së përgjithshme të situatës së rendit dhe të sigurisë publike, e cila është duam apo nuk duam në nivelet më të mira historike. Se këtë e provojnë shifrat, të cilat janë publike tashmë, jo vetëm shifrat e publikuara nga ne, por edhe shifrat e publikuara në nivel ndërkombëtar.

Ju këshilloj si gazetarë, sepse ju e dini që jeni hulumtues të mirë mund të konsultoni “Eurostatin” dhe të shihni se në cilat nivele është siguria dhe rendi publik në Shqipëri. Pra dua të them që rendi është në parametra optimalë. Ngjarjet janë të rënda të papranueshme dhe po punohet fort për zbardhjen e tyre sa më shpejt. Dhe dua të garantoj që duke marrë në konsideratë faktin që Policia e Shtetit shqiptar ka një nivel zbulueshmërie të ngjarjeve kriminale shumë të lartë, që shkon tek 90% në shumicën e rasteve, sidomos në krimet e rënda kalon mbi 90%, jep arsye të plotë për të besuar që edhe në këtë rast zbardhja e tyre do të bëhet pa hezitim dhe në thellësinë e nevojshme.

Sa i përket pyetjes që të ndaj mendjen ka apo s’ka, unë e kam ndarë mendjen dhe kam thënë që Shqipëria nuk ka kanabis në kuptimin e një plage të madhe shoqërore, siç jemi mësuar ta kemi. Sigurisht që tentativa për të mbjellë do të jetë për sa kohë të ketë njerëz. Por është po aq e sigurtë që fenomeni është këputur në mes dhe nuk mund të ngrihet më në këmbë. Këtë e provojë shifrat, këtë e provojnë dy indikatorë që unë i mbaj në ndjekje përditë. Sasinë e lëndës narkotike që kapet në brigjet përballë, në Itali, apo në Greqi, apo në vende të tjera, e cila ka shkuar pothuajse drejt zeros. Dhe po ashtu ndiqen dhe tregues të tjerë që na provojnë që kanabisi është goditur dhe këputur në mes. Sigurisht ka tentativa të izoluara, të shkëputura, në zona shumë të thella të cilat po ndiqen këmba-këmbës, falë një angazhimi madhor të Policisë së Shtetit. Dhe mundësitë për një riaktivizim, për një ringjallje apo për agravim të situatës janë zero. Pra, kjo është që mendja është e ndarë, fenomeni është inekzistent si fenomen.

Pyetje: Zoti Lleshaj dy ditë më përpara SHÇBA-ja në Gjirokastër ka asgjësuar 1000 bimë narkotike. Ku ka qenë Drejtoria Vendore e Policisë së Gjirokastrës lidhur me zbulimin e parcelave? Madje janë pezulluar edhe punonjës policie..

Ministri Lleshaj: Sigurisht që SHÇBA-ja punon vetëm, punon edhe bashkë me strukturat e policisë. SHÇBA-ja ndërhyn dhe duhet të keni parasysh që një ndër masat dhe mënyrat e ndjekura nga ne, për ta goditur fenomenin, ka qenë edhe goditja e personave të padenjë brenda policisë. Dhe kur angazhohet SHÇBA-ja sigurisht që synohet që edhe të identifikohen punonjës që nuk kanë kryer detyrën me veprime, apo siç ndodh shpesh me mosveprime, dhe mosangazhim në raste të shkëputura. Por gjithsesi janë raste të shkëputura që provojnë seriozitetin tonë që provojnë që ne i përdorim të gjithë instrumentet për ta luftuar këtë fenomen. Sepse ky fenomen ka qenë një mallkim për vendin tonë që ka prodhuar krim, dhe po nuk e çrrënjosëm thellë ne nuk kemi bërë punën. Por ne jemi të angazhuar për ta bërë thellë këtë punë.

Pyetje: Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme ditën e sotme ka dhënë dorëheqjen. A është e vërtetë që ka një javë dorëheqja në zyrën tuaj dhe ju nuk e keni firmosur dhe a ka lidhje me tenderat e uniformave blu?

Ministri Lleshaj: Së pari, nuk ka një dorëheqje të Sekretarit të Përgjithshëm, ka një lëvizje të Sekretarit të Përgjithshëm në një detyrë tjetër. Ju e dini që administrata publike funksionon si e tërë dhe në kuadër të menaxhimit të kësaj administrate publike bëhen lëvizje, të cilat janë krejt të natyrshme në një strukturë të tillë.Histori me tenderat nuk ka.

Sekretari i Përgjithshëm nuk është marrë me tenderat, nuk merret me tenderat, se tenderat kanë një agjenci të specializuar, e cila i kryen ato dhe i nënshtrohen një procesi të veçantë auditimi, verifikimi, hetimi, kur kanë nevojë për t’u hetuar. Por dua t’ju them që gjithçka është në nivelet optimale.

Ministria e Brendshme është sot në ditën më të angazhuara të punës së saj për të menaxhuar rendin, sigurinë dhe fusha të tjera të përgjegjësisë.

Pyetje: Z. Ministër, këto ditët e fundit kemi dëgjuar shumë vrasje. A është normale për një vend si Shqipëria?

Ministri Lleshaj: Keni dëgjuar shumë vrasje këto ditë. Madje këto ditë kanë ndodhur pothuajse 10% e vrasjeve që kanë ndodhur gjithë vitin në Shqipëri. Kjo është diçka e cila për fat të keq, për sa kohë kemi njerëz, edhe ndodh që mund të kesh 2-3 ditë që ke një përqendrim të veprave kriminale dhe pastaj ke 2-3 muaj që s’ke asnjë vepër kriminale. Kjo nuk na bën neve të humbasim toruan dhe të biem në panik.

Unë ju ftoj që ta kundroni, të shihni ftohtë situatën e rendit dhe sigurisë dhe mos të biem në panik nga një ngjarje që të themi u shemb! Nuk shembet Shqipëria, as siguria, për një ngjarje, as për dy. Por ju them që gjithsesi, numri i veprave të rënda kriminale në Shqipëri është ky që është. Jemi më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, jemi shumë më poshtë, jemi shumë më poshtë sesa çdo periudhë e ngjashme e historisë sonë. Kaq është. Kjo është e provueshme.
Ne sot kemi rreth 35 vrasje deri tani. S’kemi pasur kurrë ndonjëherë në historinë e re të Shqipërisë, kaq. A janë shumë? Sigurisht që janë shumë. Duhet të jenë zero. Por zero nuk bëhen kurrë këto, për sa kohë ka njerëz në botë. Dhe këtë mund ta krahasoni dhe me shifrat më të mira të vendeve të tjera perëndimore. Kemi shumë vende europiane që kanë më shumë vrasje për frymë sesa Shqipëria. Vende europiane, jo vende të rajonit! Ndaj unë e ftoj edhe median, publikun dhe shoqërinë që të mundohemi të mos krijojmë situata histerie dhe paniku dhe tjetra, të distancohemi pak nga krimi. Distancim nga krimi unë nënkuptoj mbështetjen e policisë. Se nganjëherë i turremi policisë a thua se Policia i bën vrasjet! Jo, Policia është për t’i parandaluar dhe për të gjetur e vënë para përgjegjësisë autorët e tyre.

Kështu që nuk mundet dhe këtë e kam shqetësim për ata që arrijnë ta ndiejnë shqetësimin njëlloj si unë. Ka të tjerë që s’duan ta ndiejnë, mos ta ndiejnë. Por për ata që arrijnë ta ndiejnë përgjegjësinë për këtë vend, seriozisht duhet që në këto momente policia të inkurajohet për të bërë detyrën, sepse s’duhet të harrojmë që policët janë njerëz. Që edhe ata mund të zhgënjehen një ditë, që edhe ata mund të demotivohen, edhe do ta bëjnë punën më keq. Ne kemi interes që policët ta bëjnë punën më mirë dhe që ta bëjnë punën më mirë ata kanë nevojë për mbështetjen tonë, të medias në radhë të parë, të qytetarëve në radhë të dytë, dhe sigurisht ne e kemi detyrë funksionale dhe s’bëhet fjalë për mbështetjen tonë. Faleminderit.