Një 14-vjeçar u arrestua në Durrës nga policia teksa po  qarkullonte me një pistoletë “zastava” të cilën e mbante pa leje në çantë. Ky rast por edhe vrasjet e fundit në Durrës apo plagosjet në Tiranë tregojnë problematikën e përfshirjes së të miturve në aktivitete kriminale. Sipas psikologëve përfshirja e adoleshentëve në ngjarje kriminale konsiderohet shqetësuese nga psikologët, të cilët e lidhin këtë fenomen me mosfunksionimin e programeve të rehabilitimit, apo dënimeve të ulëta që japin gjykatat.

Një 14 vjeçar u arrestua nga policia e Durrësit me një pistoletë pa leje të markës zastava e cila iu gjet në çantën që mbante me vete. Implikimi i adoleshentëve në krime është kthyer në një shqetësim, pasi vetëm ditët e fundit janë regjistruar disa ngjarje kriminale që kanë për autorë persona të moshave të reja.

Rastet më të fundit ishin plagosja e fundit në zonën e unazës në Tiranë ku një 20 vjecar qëlloi komshiun, apo vrasjet dhe plagosjet e ndodhura javën e fundit në Durrës nga autorë të moshave nga 19 deri në 25 vjeç.  

Sipas psikologëve shkaqet e këtyre ngjarjeve kanë të bëjnë me edukimin familjar, por dhe modelet e të fortëve që të rinjtë tentojnë të imitojnë bazuar në atë çka transmetohet në median elektronike dhe rrjetet sociale.

”Persona ose adoleshentë që kanë kaluar një adoleshencë problematike në shkollë, komunitet e shoqëri, ndjekin modelin e të fortit.”

Psikologia Marsela Lekli, njëkohësisht dhe ish-eksperte për seksionin e të miturve, thotë se përfshirja e të miturve në aktivitet kriminale favorizohet dhe dënimet e lehta që jepen nga gjykatat.

”Duke parë se ato kanë qenë persona me procedim penal të mëparshëm dhe nuk kanë marrë një dënim të duhur, e kanë më të lehtë për të kryer një tjetër vepër penale.”

Psikologia Lekli gjithashtu shprehet se mungojnë programet e rehabilitimit për të parandaluar të përsëritjen e veprave penale nga të miturit.

”Nëse merr një punë në komunitet për të shlyer dënimin, nëse merr një detyrim paraqitjeje, ai është prapë i lirë për të kryer një vepër tjetër. Ideja është që çfarë rehabilitimi i është dhënë adoleshentit për të mos kryer një vepër penale.”

Ngjarja më e fundit kriminale me autorë të moshave të reja u regjistrua të martën në Durrës, ku një 16-vjeçar pas një konflikti të çastit plagosi me thikë 17-vjeçarin Elvin Zira. Vetëm gjatë vitit 2019 policia raporton se janë përfshirë në krime 1337 autorë të moshave të reja.