Krim pasioni në Itali, shqiptari vret gruan dhe të dashurin e saj

Xhelozia është kthyer në një tragjedi për një familje shqiptare në Itali. Sic raportohet nga mediat italiane shtetasi shqiptar Burhan Kapllani, 48 vjeç ka vrarë gruan dhe të dashurin e saj për motive xhelozie në Aquila.
Të gjithë skenën e krimit 48 vjeçari e ka realizuar në parkingun e një supermarketi, ku i ka bërë pritë gruas së tij Orjeta Boshti 36 vjec, me të cilën kishin 4 fëmijë. Mësohet se Boshti në atë moment ndodhej në kompaninë e të dashurit të ri, Shpëtim Hana dhe sapo kanë hipur në automjetin Opel Zafira, Burhan Kapllani është afruar pranë tyre dhe ka qëlluar për vdekje të shoqen me një plumb pranë veshit teksa kjo ndodhej ende në makinë.
Në panik e sipër Hana ka tentuar të largohet për të shpëtuar nga agresori, por plumbat e pistoletës e kanë zënë në qafë duke e lënë dhe atë të vdekur në vend.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë karabinierët, të cilët sekuestruan armën e krimit, një pistoletë e kalibrit 22, që u gjet 300 metra larg vendit të krimit, ndërsa vetë autori i krimit mësohet se është vetëdorëzuar.
Po sipas mediave italiane ngjarja shkaktoi panik në qendrën tregtare ku u mblodhën një turmë e madhe njerëzish, ndërsa mësohet se Orjeta Boshti kishte hapur një proces gjyqësor për divorcin nga bashkëshorti i saj Burhan Kapllani.