Takimi i zhvilluar në Bruksel për dialogun Kosovë – Serbi më 27 gusht nuk prodhoi marrëveshje mes përfaqësuesve të lartë të dy shteteve.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajcak deklaroi se bisedimet nuk ishin të lehta por që është bërë një hap përpara.

Teksa pritet që të dy palët të takohen në Washington më 4 shtator, analisti Nezir Kraki është skeptik për delegacionin përfaqësues të Kosovës.

Në një intervistë për Ora News, ai thotë se delegacioni është i dobët e i përbërë nga persona pa përvojë dhe pa bagash historik të këtij procesi. Kraki shprehet se Kosova shkon për të lënë diçka ndërkohë që Serbia shkon me ide të qarta për të fituar.

Kraki: Nuk mendoj se do të ketë marrëveshje të imponuar. Mund të ketë surpriza në rrafshin e ndërlidhshmërisë ekonomike e tregtare Kosovë-Serbi. Të dy vende kanë pasur marrëdhënie shumë të mira këto 20 vite. Serbia pret surpriza pasi shkon në Washington për të fituar diçka. Kosova shkon në Washington për të lënë diçka. Kjo është ana tragjike dhe të dy vendet janë të vetëdijshme. Këto janë taktika të serbëve. Në paraqitje ata janë vajtues por në prapaskena ata janë shumë të qartë dhe konkretë se çfarë duan të marrin dhe çfarë do kundërshtojnë. Hoti mund  të jetë teknicien i mirë i profesionit të vetë si ekonomist. Në një postim timin në Facebook unë me humor thashë se që prej kohës së pellazgëve e deri më sot, Kosova nuk ka dërguar një delegacion më të dobët dhe më sharlatan se ky që udhëtoi në Washington. Në atë ekip nuk ka as përvojë dhe as i bagazh intelektual, nuk ka as historik të udhëtimit sociopolitik të Kosovës brenda Jugosllavisë dhe Serbisë dhe përpjekjes luftarake të Kosovës. Vuçiç mund të shkojë dhe vetë në Ëashington dhe nuk ka nevojë për një delegacion prej 10 persona. Kjo pasi ai e di mirë se çfarë kërkon dhe çfarë do marrë. Nuk u duhen 10 persona për të pranuar një dhuratë.

Dy ditë pas takimit në Washington, dy delegacionet do të takohen sërish në Bruksel. Duke kujtuar përpjekjet e viteve më parë për dialogun, Kraki thotë se Hoti nuk ka se çfarë të përfitojë nga BE më shumë se sa liberalizimi i vizave, kjo pasi sipas tij, BE për momentin ndodhet në asfiksi totale.

Kraki: Para 8 viteve kur Edita Tahiri udhëtonte për bisedime në Bruksel, Kosova insistonte në bisedime teknike. Serbia ka pasur strategji nacionale për kthimin e këtyre bisedimeve teknike në bisedime politike dhe ja arriti. Me ndihmën e Presidentit Thaçi dhe fushatat e tij antishtetit të Kosovës, Serbia arriti të kthejë statusin e Kosovës në diskutim. Tani duke e konsideruar si diçka të fituar, ne tani duam të bisedojmë në çështje teknike. Nuk e di se çfarë  do të mund të kërkojë Hoti në Bruksel përveç liberalizimin e vizave për Kosovën. BE nuk ka se çfarë t’i propozojë pasi është në hall për vete. Ata nuk kanë qëllim për tu zgjeruar apo për tu demokratizuar në këtë moment. Është pranë një asfiksie totale. Janë ëndrra ato integrimet. Nuk do ketë integrime për shumë vite. BE mund të ofrojë një presion mbi Spanjën apo Rumaninë për njohjen. Duhet të ketë një strategji për të kërkuar diçka konkrete. Serbia ka avancuar konkretisht në BE.

Intervista ne studio me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti online Endi Mullaj