Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit mund ta qeverisë Kosovën vetëm me ndihmën e aleatëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli të enjten rezultatet përfundimtare për garën e 14 shkurtit, duke i cilësuar si zgjedhjet më të mira për vendin.

438 mijë vota gjithsej i sigurojnë Vetëvendosjes vendin e parë, me një mbështetje elektorale më të madhe sesa gjithë partitë e tjera së bashku.

Pavarësisht shifrave rekord, ato nuk ia garantojnë Kurtit shumicën qeverisëse, 61 vendet e nevojshme.

Pas konstituimit të parlamentit, Kosova duhet ta formojë qeverinë e re brenda 15 ditëve.

Mandatarin do e caktojë presidentja në detyrë, Vjosa Osmani.

Në zgjedhjet e fundit Osmani rezultoi kandidatja më e votuar për deputete me 300 mijë vota, dhe bashkë me Kurtin synon të vijojë detyrën e presidentes.

Postin e synon edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili i ka ofruar përkrahje për qeverisë së re nëse e mbështetin për kryetar shteti.

Kurti ka thënë se si fitues i zgjedhjeve ai do tentojë ta krijojë një kabinet pa parti të komunitetit serb dhe nuk do të bëjë kompromise as me partitë shqiptare që ai mendon se përfaqësojnë regjimin e vjetër.

Rezultatet

Lëvizja Vetëvendosje- 49.95% me 58 ulëse

Partia Demokratike e Kosovës- 16.9% me 19 ulëse

Lidhja Demokratike e Kosovës- 12.64% me 15 ulëse

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës- 7.0,78% me 8 ulëse

Lista Serbe – 5.06% 10

Nisma Social Demokrate- 2.05%

Minoritetet dhe politikani më i votuar

Ndërkaq nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar dhjetë ulëse. Nga dy ulëse në Kuvendin e ri të Kosovës kanë fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Iniciativa Rome. Ndërkaq, nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Inciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim.

Sipas rezultatit, Vjosa Osmani, që garoi në kuadër të listës së Vetëvendosjes ka marr më së shumti vota, përkatësisht 300.788 vota. Kreu i LVV-së, Albin Kurti nuk u lejua që të garojë për deputet, për shkak të një dënimi të formës së prerë, për hedhje të gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit. Ndërkaq, bartësi i Listës së PDK-së, Enver Hoxhaj ka fituar 100.518 vota, pasuar nga Avdullah Hoti i LDK-së me 69.640 vota, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka siguruar 41.406 vota dhe Sllavko Simiq nga Lista Serbe ka fituar 19.728 vota.

 KQZ-ja njoftoi se LVV-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit ka fituar 438.334 vota, PDK-ja 148.296, LDK-ja 110.978 dhe AAK-ja 62.111 vota.

Pas shpalljes së rezultatit nga KQZ-ja, tani partitë dhe kandidatët për deputetë, brenda 24 orëve mund t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), nëse kanë ankesa. Të drejtë ankese ata më pas mund të bëjnë edhe në Gjykatën Supreme.

Ankesat eventuale mund të shtyjnë certifikimin e rezultatit zgjedhor, proces ky që i hap rrugë konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga mbi 1.7 milion qytetarë me të drejtë vote kanë votuar 48.78 për qind dhe vota të vlefshme, sipas KQZ-së, kanë qenë 877.503.