KQZ e Kosovës do vëzhgojë 25 prillin, do fokusohet te zbatimi i teknologjisë në votim

KQZ e Kosovës do vëzhgojë 25 prillin, do fokusohet te zbatimi i

KQZ-ja e Kosovës pritet këtë javë të vijë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet e 25 prillit, posaçërisht risitë që sjell këtë vit përdorimi i teknologjisë për 23 mijë votues të Tiranës. Edhe institucioni zgjedhor në Kosovë është i interesuar për votimin dhe numërimin elektronik.

Zgjedhjet e 25 prillit përveçse përcaktojnë parlamentin dhe qeverinë e ardhshme shqiptare, kanë ngjallur interesin e autoriteteve kosovare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës pritet të dërgojë një delegacion të vetin për të vëzhguar procesin dhe suksesin e ndryshimeve të fundit ligjore në vend.

 “Në përbërje të delegacionit të KQZ-së që do të qëndrojë gjatë fundjavës në Shqipëri do të jenë anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por edhe staf nga sekretariati i KQZ-së të cilët jo vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve, por edhe më herët do të zhvillojnë takime të ndryshme me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve atje, me trupa të caktuara zgjedhore për të parë kryesisht se si do të bëhet implementimi i këtyre risive në procesin zgjedhor në Shqipëri.”

Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë, thotë se fokusi i institucionit ku ai bën pjesë do të jetë zbatimi i teknologjisë gjatë votimit dhe numërimit të votave, risi që këtë vit të do të pilotohet vetëm në njësinë 10 të Tiranës.

 “Vëmendje e veçantë gjatë procesit të vëzhgimit do t'i kushtohet sidomos kësaj fushe, sidomos identifikimet elektronike të votuesve që do të bëhet në të gjithë qendrat e votimit si dhe votimi po ashtu numërimi elektronik të fletëvotimeve në një zonë të caktuar në Tiranë. Këto janë projekte që realizohen për herë të parë në Shqipëri dhe do të shohim nga afër si po zbatohen ato në terren.”

Edhe KQZ-ja e Kosovës e synon sistemin elektronik, dhe ka avancuar në këtë drejtim, duke arritur më 14 shkurt të nxjerrë rezultatet paraprake që ditën e parë të zgjedhjeve dhe t'u lejojë qytetarëve të zgjedhin qendrën e votimit.

 “Pra këto janë segmente që vihen re nga ana e publikut sa i përket teknologjisë që e përdor KQZ në procese zgjedhore ndërsa për të arritur deri te përdorimit i kësaj teknologjie më të avancuar nëse mund të themi kështu besoj që duhet studime dhe analiza më të thella dhe natyrisht edhe ndryshime ligjore për t'u mundësuar zbatimi i tyre në terren.”

EMISIONET