Ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu në një intervistë për RTV Ora bëri një paralelizëm mes klimës politike gjatë periudhës së shpalljes së pavarësisë dhe tentativave për dialogun Serbi-Kosovë.

Ai thotë se gjatë periudhës së parë ka pasur një bashkëpunim shumë të madh mes mazhorancës dhe opozitës për një qëllim të përbashkët, një frymë që duket se mungon në këto momente.

Sejdiu: Unë them se janë dy faza që dallojnë Ajo e  para është koha kur unë kam udhëhequr procesin e bisedimeve rreth 2 vjet të plota dhe ka përfunduar me aktin më madhor të shqiptarëve të Kosovës me pavarësinë e vendit dhe është kjo periudha e dytë e një dialogu që ka filluar që nga viti 2011 dhe sipas një rezolute të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të shtatorit të vitit 2010 dhe që ka zgjatur shumë dhe nuk është pritur që do të jetë i tillë për shkaqe të shumta. Në të parën ne kemi pasur gati dhe një mandat kohor sepse ka qenë një presion i madh ndërkombëtar, një presion pozitiv, i udhëhequr nga ShBA dhe vende të rëndësishme të Bashkimit Europian. Por dhe vende të tjera dhe dihej itinerari se nga po ecnim duke pasur parasysh dhe një bashkëpunim të thellë të gjithë faktorëve politikë të vendit. Kemi qenë bashkë pozitë dhe opozitë në ekipin e unitetit siç emërtohej dhe të gjithë temat e mëdha që kemi pasur përpara kryesorja ka qenë pavarësia e vendit. Mund të kemi pasur dhe debate të brendshme të cilat nuk kanë reflektuar në pjesën të ekspozimit tonë apo aksioneve politike. Faza e dytë që është jashtë çështjes së statusit por gjithmonë me pretencat e Serbisë që të prekë në statusin e Kosovës është një periudhë që nuk është çuar në një bashkëpunim të mirë politik dhe institucional të Kosovës.

Ka pasur dhe mospajtime të shumta deri në nivele të atilla që ka qenë braktisja. E dyta që nuk ka qenë mirë deri më tani është marrja pjesë në një dialog i cili ka qenë i papërcaktuar dhe nuk ka pasur afat kohor. Një dialog që është nisur me hile nga Serbia dhe pajtimtarët e saj që kanë dashur ta nxjerrin në atë rezolutë. Ka zbritur në terma shumë të rrezikshme siç janë ato temat me rregullimin e brendshëm të Kosovës ose që kanë të bëjnë me një ide të shkëmbimit të territoreve dhe çështje të tjera që kanë hedhur jashtë binarëve normal procesin dhe e treta që është e rëndësishme në atë kohë ShBA kanë qenë faktori kryesor bashkë me vendet e BE-së dhe këtë periudhë ShBA ka qenë gati deri jashtë loje deri në një moment kur kemi një iniciativë të drejtëpërdrejtë vitin e fundit posaçërisht për tema që janë ekonomik. Në njëfarë mënyre marrja në dorë nga Trump për të bërë marrëveshje mes dy vendeve e cila në ide ajo siç dihej, ka qenë dhe njohja e Serbisë për Kosovën.

Ndërkohë për marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Washington, Sejdiu tha se mund të ishte insistuar më shumë në pikën për njohjen e Kosovës por dhe njohja nga ana e Serbisë është diçka pozitive.

Gjithashtu ai shpreson tek ndërhyrja amerikane për dialogun dhe të mos jetë thjeshtë si një arritje për tu përdorur më pas nga Trump gjatë fushatës zgjedhore.

Sejdiu: Pikërisht është pika 10 e cila në një presion të mëvonshëm siç thuhej që Serbia ka insistuar dhe mundohet të gjejë fitoren e vetë është tërhequr. Është bërë një lloj përpjekje, por nga ajo që flitet dhe nga analizat që bëhen, ka qenë e vështirë që të hyhet në dhomën e dialogjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe të mos dihen temat se cilat do të jenë. Dalin tema shumë të lamirshme. Tema që kanë të bëjnë me risi ekonomike. Ardhja tek një element tjetër atipik siç ishte dhe njohja e Kosovës nga Izraeli. Unë mendoj se ky element është i jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën dhe nxjerr një faktor të ri të lindjes së mesme ku kemi pasur gjithato zhvillime dinamike dhe të rëna në gjithë territorin dhe ka qenë një hezitim i këtij vendi për të njohur kosovën. Unë në 2010 kam takuar kryeministrin Netanyahu në atë kohë. Nuk vërehej një gatishmëri në njohje dhe kanë pasur arsye të veta ata.

Unë them që janë kohë të ndryshme dhe tema të ndryshme. Ka shqetësime të qytetarëve për çështjen e Ujmanit. A ka dashur Ujmani që të hyjë në një tip të marrëveshjes. Është kërkesë e vazhdueshme e Serbve sepse loja e tyre është ta bëjë veriun të pafunksionueshëm dhe të paintegrueshëm për Kosovën. Kemi disa veprime paralele që i ka bërë ndër vite. E para është moslejimi i qytetarëve që të integrohen në jetën e përgjithshme dhe në jetën politike e institucionale të vendit me përjashtime të caktuara në ciklet zgjedhore dhe ata e luajnë lojën e vetë. E dyta është në njëfarë mënyre alienimi e gjithë asaj pjese nga veprimet e të përditshmes së Kosovës. Ujmani është territori i Kosovës me përjashtim të një pjese prej 2 km katror në pjesën e Serbisë. Në këtë formë le të jetë si përgjegjësi një veprim i ShBA të lëvizin proceset që në të ardhmen të ndërtohen si duhet. Shpresoj që të mos jetë pjesë e një fushate elektorale që e kemi në ShBA.

Intervista në studio me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti Endi Mullaj