Është arritur dakordësia për zhbllokimin e llogarive të Telekomit në Kosovë.

Këtë e ka njoftuar vetë ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi përmes një statusi në faqen e tij në Facebook.

Ai shkruan prej ditës së nesërme llogaritë e Telekom do t’i rikthehen normalitetit.

“Zhbllokohen llogaritë e Telekomit. Pas shumë përpjekjeve, sot arritëm dakordimin për zhbllokimin e llogarive të Telekomit të Kosovës. Nga nesër llogaritë do t’i kthehen normalitetit dhe jemi të përkushtuar që Telekomi i Kosovës të operojë me përformancë të lartë. U bëjmë thirrje punëtorëve të Telekomit që të qetësohen dhe të punojnë për një të ardhme më të mirë të kësaj ndërmarrje.”

Llogaritë bankare të Telekomit u bllokuan më 15 korrik, për shkak të një konflikti ndërkombëtar me kompaninë Z-Mobile.

Telekomi dhe Z-Mobile, prej kohësh, kanë qenë në mosmarrëveshje, për shkak të një kontrate të nënshkruar më shumë se dhjetë vjet më parë.

Është vlerësuar se kjo kontratë i ka sjellë Telekomit humbje në vlerë prej 107 milionë eurosh.

Pavarësisht fitimeve që Z-Mobile thuhet t’i ketë pasur nga kontrata, kompania ka pretenduar se Telekomi i Kosovës nuk e ka përmbushur atë në tërësi dhe e ka paditur.

Kontrata është ndërprerë vitin e kaluar.

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës u angazhuan në gjetjen e një zgjidhjeje, për të mos lejuar falimentimin e Telekomit.