Rektorët e shtatë universiteteve publike në Kosovë kanë vendosur që viti i ri akademik për studentët të nisë më 1 tetor. Për shkak të pandemisë, leksionet dhe testimet do të zhvillohen si fizikisht edhe nga interneti.

Kosova pritet të nisë vitin e ri akademik më 1 tetor, ndonëse me format të ndërthurur mes atij fizik dhe virtual në kushtet e pandemisë së koronavirusit.

Pas konferencës së përbashkët, rektorët e 7 universiteteve publike në vend njoftuan të martën se provimet për studentët do të mbahen në ambientet e fakulteteve, ndërsa leksionet, konsultimet dhe seminaret do të zhvillohen nga interneti.

Në të gjitha rastet, universitetet publike do të respektojnë masat kundër kovidit-19, thuhet në komunikatën e universiteteve kosovare, por bëhet e ditur se për shkak të shtyrjes së datës së provimit të maturës në fundin e muajit gusht, mësimi për studentët e vitit të parë do të fillojë me 1 deri 2 muaj vonesë, pa cenuar më tej rrjedhën e procesit mësimor.

Në Kosovë, nga 13 marsi, kur u raportuan rastet e para, më shumë se 11 mijë persona janë diagnostikuar si bartës të koronavirusit dhe mbi 410 qytetarë nuk i kanë mbijetuar infeksionit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar më parë se hapja e institucioneve të tjera shkollore do të varet nga situata epidemiologjike.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë po përgatitin udhëzuesin për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor nga 1 shtatori.

Shkollat e mesme në vend hapën të hënën konkursin për pranimin e nxënësve brenda 21 gushtit.

Ndonëse kishin maska, në radhët me nxënës u vu re se jo gjithmonë respektohej masa e mbajtjes së distancës si një rekomandim për të penguar përhapjen e pandemisë së kovidit-19.

Në institucionet parashkollore, ndërkaq, frika e infektimit vazhdon t’i bëjë prindërit hezitues për t’i çuar fëmijët e tyre.

Komuna e Prishtinës ka publikuar një protokoll për hapjen e kopshteve publike dhe me bazë në komunitet, ndërsa Inspektorati i Arsimit informon se shumica e çerdheve publike dhe private në vend ende nuk janë hapur.