Kosovë: Vështirësi, diferencimi i fëmijëve me grip dhe atyre me koronavirus

Kosovë: Vështirësi, diferencimi i fëmijëve me grip dhe

Klinika e Pediatrisë në Prishtinë po kërkon nga institucionet e shëndetësisë që të kryhen testime më të shpejta të kovidit-19.

Me ardhjen e stinës së dimrit, drejtoresha e klinikës, Drita Telaku-Qosaj, konsideron sfidë kryesore diferencimin e fëmijëve me koronavirus nga ata me viruse sezonale.

“...pasqyra klinike është shumë e ngjashme me një grip sezonal me një fëmijë me Covid-19, me ndonjë virus tjetër që paraqitet. Është vështirë klinikisht me e diferencuar, se me cilën kemi të bëjmë.... edhe pastaj mjekimi kuptohet është pjesa tjetër”, tregon drejtoresha e klinikës Drita Telaku-Qosaj.

Sipas saj, periudha pas tetorit ka për të qenë e vështirë për personelin mjekësor, ndaj së pari duhet menduar për fëmijët me sëmundje kronike.

Drita Telaku-Qosaj: “Në njësinë Covid deri tash i kemi pasur 46 fëmijë, mirëpo fatmirësisht në përgjithësi numri i tyre nuk është i madh... Prej krejt këtyre fëmijëve që i kemi mjekuar me Covid, një fëmijë ka qen me një sëmundje shumë të rëndë të zemrës, e cila është diagnostikuar pas lindjes dhe ka përfunduar me fatalitet.”

Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës njoftoi të premten për 2 viktima të reja nga koronavirusi duke e çuar bilancin total afër 660-ës ndërsa rreth 2 mijë raste po ndiqen në mënyrë aktive.

Ekspertët thonë se rritja e rasteve pozitive me kovidin-19 në Kosovë vazhdon prej 8 muajsh por nuk duhet të përbëjë shqetësim, pasi janë rritur edhe testimet ditore në terren.

Qytetarët gjithashtu po nisin të ndërgjegjësohen me vullnet por edhe me forcë mbi masat frenuese të infeksionit si maskat dhe distancimi social.

Në 24 orët e kaluara, autoritetet gjobitën mbi 1,100 banorë për mosrespektimin e masave, penalitet që për maskat shkon në 35 euro dhe deri 500 euro për kompanitë e transportit që nuk sigurojnë distancat e duhura gjatë udhëtimit me autobus apo me taksi.

Kosove Rajoni Lajme Kosovë veshtiresi virus grip corona

EMISIONET