Situata e rënduar epidemiologjike në Kosovë shtyu të mërkurën vendin të aplikojë masa të reja kufizuese kundër përhapjes së covid-19.

Për dy javët e ardhshme, ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit, me përjashtim të rasteve urgjente.

Ndalohen edhe grumbullimet në raste takimesh, dasmash apo për homazhe nëse kanë mbi 10 pjesëmarrës.

Deri më 18 prill restorantet do të ofrojnë vetëm për shërbimin e dërgesave; qendrat e mbyllura tregtare kanë pezulluar aktivitetin, të gjitha institucionet arsimit po organizohen nga interneti dhe është përgjysmuar kapaciteti i transportit publik.

Për qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë nga vendet me risk të lartë epidemie, është i detyrueshëm testi PCR negativ për Covid-19 në 72 orët e fundit.

Masat e reja të prezantuara nga qeveria Kurti janë kundërshtuar nga përfaqësuesit e bizneseve dhe asociacioni i komunave kosovare.

Bizneset kanë kërkuar që mbyllja e tyre të shoqërohet me përkrahje paraprake financiare, ndërsa Këshilli i Prindërve është ankuar se mësimi nga interneti nuk është rezultativ.

Kosova vazhdon të regjistrojë viktima dhe raste të reja me covid-19, sëmundje e cila ka infektuar rreth 95 mijë qytetarë dhe ka vrarë mbi 1.900.

Vendi, ndërkaq, po pret furnizime me vaksina për të imunizuar edhe shtresa të tjera të popullatës, pas fazës së parë që përfshin stafin mjekësor dhe të moshuarit mbi 80 vjeç.