Të pajisur me maska dhe duke mbajtur distancën për mbrojtje ndaj koronavirusit, në disa shkolla të Kosovës ka nisur mësimi fizikisht. Opozita politike ka akuzuar qeverinë se nuk është plotësisht e përgatitur për situatën dhe ka krijuar hutim te prindërit dhe nxënësit.

Kosova ka nisur vitin e ri shkollor në disa nivele pas muajve të tërë pezullim prej pandemisë.

Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, dhe autoritetet vendore, e shënuan të hënën ditën duke përuruar shkollën e re fillore të mesme të ulët “Haradin Bajrami” në fshatin Magur të qytetit qendror të Lipjanit.

Kreu i ekzekutivit e konsideroi mësimin në klasa të pazëvendësueshëm për nxënësit.

 “Iu kërkoj të gjithë nxënësve arsimtarëve, prindërve kujdes maksimal. Kemi punuar shumë gjatë këtyre javëve që të krijojmë kushte që nxënësit të mos mbesin prapa. Mësimi nuk merret askund sikur në bankat shkollore, por po ashtu jemi të rrezikuar me këtë situatë/që po përballemi dhe bashkë mund t’ia dalim kësaj situate.”

Fillimi i këtij viti shkollor në Kosovë u bë në dy faza.

Klasat 1,2,3,6 dhe 10 nisën mësimin të hënën, ndërsa klasat e katërta dhe pesta u është lënë drejtorive komunale të arsimit të vendosin se në çfarë metode do e vazhdojnë mësimin.

Faza e dytë do të nisë me 21 shtator për nxënësit e klasave të tjera fillore dhe të mesme.

Ndërkohë që Ministria kosovare e Arsimit dhe Shkencës shprehet e bindur se ka marrë masat për të realizuar normalisht mësimin, partia e opozitarit Albin Kurti akuzoi të hënën qeverinë për paaftësi në menaxhimin e situatës epidemike.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, njoftoi interpelancë me ministrin e Arsimit për të shpjeguar vonesat me vitin e ri shkollor, a janë plotësuar kriteret për mbarëvajtjen e mësimit, dhe pse pikërisht në këtë kohë është vendosur të shkurtohet buxheti për sektorin.

 “Sinjali i parë dhe më i rëndësishëm, për të mos thënë edhe vula që kjo qeverisje nuk e ka prioritet arsimin. Në kohën e pandemisë kur do të duhej të investohej edhe më shumë në fushën e arsimit dhe mundësohej një proces mësimor normal, kjo qeverisje shkurtoi për 12,5 milionë euro buxhetin e arsimit”.

Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë e kalon shifrën 2,600, ndërsa në 600 ka arritur numri i jetëve të humbura nga infeksioni vdekjeprurës.