Veteranët e Luftës së Kosovës e quajnë të pamatur dhe orkestrim të Serbisë aktakuzën për krime lufte ngritur muajin e kaluar ndaj kreut të shtetit, Hashim Thaçi dhe të tjerë bashkëpunëtorëve për luftën për çlirim.

Veteranë të Luftës dhe ish-të burgosur politikë të Kosovës protestuan të enjten në Prishtinë dhe qytetet e tjera kundër akuzave për krime lufte ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me propozim të prokurorit special në Hagë, presidenti aktual Hashim Thaçi, kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe 100 ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së akuzohen për vrasje, tortura dhe ndalime të paligjshme të kryera ndaj forcave kundërshtare gjatë gjenocidit serb mbi 20 vite më parë.

Për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare, Hysni Gucati, pretendime të tilla i bëjnë një padrejtësi të madhe shtetit të Kosovës dhe luftës së drejtë të tij për liri.

 “Veprimi i prokurorit është i pa matur dhe i pa drejtë, i cili për të ushtruar presion publik, ka lëshuar deklarata para se Gjykata të konfirmoj ose rrëzoj aktakuzën e ngritur. Gjykata të tilla që janë ngritur një anshëm vetëm kundër UÇK-së, të cilat e mohojnë gjenocidin…”

Nga shoqata e ish-të burgosurve politikë, Meriman Braha, kërkoi nga ndërkombëtarët të vënë në punë seriozisht mekanizmat e drejtësisë edhe për krimet e luftës të kryera realisht në Kosovë.

Ai akuzoi Gjykatën Speciale si një organ të konceptuar nga Serbia dhe aleatët e saj të fuqishëm, se po tenton të barazojë xhelatin me viktimat.

 “Ky është një shërbim i pa precedent që i bëhet një shteti që do të duhet të ishte i dënuar për gjenocid në Kroaci, Bosnjë e Kosovë … atyre që ishin dhe që akoma janë me pozita shtetërorë të larta në Serbi.”

Dhomat e Specializuara e kanë dorëzuar për shqyrtim në Gjykatë aktakuzën ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Thaçit dhe Veselit.

Para intervistimit në Hagë ditën e hënë, kreu i shtetit ka paralajmëruar se nëse pretendimet ndaj tij merren parasysh, ai do të japë dorëheqjen për t’u përballur me krimet të cilat ai mohon t’i ketë kryer.

Lufta e Kosovës fundshekullin e kaluar u kushtoi jetën rreth 15 mijë personave, mes tyre edhe gati 2,400 efektivë të UÇK-së.