Punonjësit teknikë të Shërbimit Spitalor të Kosovës kanë kërkuar sërish të përfitojnë nga pagesa prej 300 euro shtesë që qeveria po ndan për rrezikshmëri pune në kohë pandemie.

Pakënaqësitë e tyre i shprehën të mërkurën punëtorë nga administrata, recepsionistët, stafi i sigurimit dhe ai i higjienës.

Nezir Sopi është një nga shoferët e autoambulancave që shërben prej më shumë se 20 vitesh, dhe thotë se nuk e ka ndjerë asnjëherë veten më të rrezikuar sesa tani.

Këtu janë qindra COVID-a, vozitësit që i kanë bartur… Natë e ditë pa ndërprerë. Vetëm një vozitës i emergjencës ka bërë shërbimet e të gjitha klinikave dhe rastet tjera.”

Punonjësit e shërbimit spitalor në Prishtinë theksojnë se rreth 2 mijë persona janë diskriminuar duke u përjashtuar nga paketa e emergjencës të cilën qeveria kishte premtuar edhe për ta.

Çdo dite kanë qenë të rrezikuar dhe ende janë me përballjen me Covid-19 dhe të gjithë këta te apostrofuarit me lartë nuk janë përfitues të shumës prej 300 euro të cilën e kanë premtuar publikisht nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.”

Protestuesit kanë lënë afat ditën e hënën për adresimin e problematikës së tyre, ndryshe kanë kërcënuar me bojkotimin e punës.

Drejtori i shërbimit, Valbon Krasniqi, kërkoi kohë për të negociuar me qeverinë për zgjidhjen.

Jemi të angazhuar maksimalisht që të gjithë punonjësit të marrin këtë pagë prej 300 euro. Dhe unë pres që qeveria të reflektojë mbi këto kërkesa. “- thotë Krasniqi.

“Këto teshat po ua deshëm e le t’i veshin shefat tash, se na më nuk mundemi kështu. Le të shkojnë ata le të hyjnë te COVID-at, se neve nuk na kanë përfill.”

Kjo është protesta e dytë e punonjësve teknikë të spitaleve në kryeqendrën kosovare, e shprehur me revoltë ndaj autoriteteve shtetërore.

Pakon emergjente fiskale me vlerë rreth 180 milionë euro ka për qëllim të zbusë problemet socio-ekonomike dhe u miratua në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus.