Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka njoftuar masat e reja kufizuese për frenimin e përhapjes së infeksionit nga Covid 19.

Në një postim në Facebook Hoti njofton se ka kërkuar që sot të ndërmerren menjëherë masat në vijim:

– Të gjitha institucionet publike të ndalojnë çfarëdo organizimi për fundvit që i bëjnë zakonisht për punonjësit e institucioneve. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të përgatisin urdhëresën për këtë qëllim.

– Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkërendim me komunat, të urdhërojë menjëherë të gjitha shkollat të ndalojnë çfarëdo organizimi apo ekskursioni të nxënësve apo arsimtarëve.

– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është përgjegjëse për ngjarjet sportive e kulturore, të cilat mund të zhvillohen vetëm sipas udhëzimeve të parapara në manualin për mbrojtje nga covid19. Një komision do të funksionojnë brenda ministrisë për miratimin e ngjarjeve të tilla.

– Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, së bashku me AVUK-un, të inspektojë zbatimin e masave me mbështetje të policisë.

– Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes ambasadave tona të njoftojë bashkatdhetarët për masat që janë në fuqi në Kosovë, si dhe kërkesat e vendeve përkatëse kur bashkatdhetarët të kthehen në vendet ku punojnë dhe jetojnë.

– Ministria e Shëndetësisë të mbajë konferencën e rregullt me medie për të informuar qytetarët me gjendjen dhe masat që duhet respektuar, në veçanti masat që do të ndërmerren për fundvit

Hoti shprehet se masat e marra në 11 nëntor kanë dhënë rezultat pozitiv.

Në Kosovë që prej muajit mars janë regjistruar 48 337 raste prej të cilëve 1240 persona kanë humbur jetën.