Ftesa që Kosova të bëhet pjesë e Mini-Shengenit Ballkanik, që tashmë pritet të bëhet zyrtare, ka shkaktuar reagime të shumta. Kjo për shkak se pjesë e tij është edhe Serbia. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazetaren Matilda Mcini, Arton Demhasaj, drejtori i organizatës “Çohu”, u shpreh se megjithëse bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit ka të mirat e saj, pranimi i një ftese të tillë nga ana e qeverisë së Kosovës, ndikon në dialogun e  saj për njohjen me Serbinë.

Demhasaj: Mbetet për t’u parë se sa është  e sinqertë kjo marrëveshje dhe se sa do të ketë ndikom politika nacionaliste në këtë çështje. Përndryshe nëse nuk do të ketë ndikim, unë mendoj se një bashkëpunim potencial mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, me inciimin e projekteve të përbashkëta, është normale do të gjejë mbështetjen e Bashkimit Europian. Kjo do të ndikonte në zhvillimin politik të Rajonit dhe në integrimin e tyre në BE.

Ftesa për Kosovën mund të konsiderohet si një zbutje nga ana e Serbisë sa i përket reciprocitetit, taksës apo edhe njohjes. Megjithatë, Demhasaj thekson se edhe Serbia duhet të bashkëpunojë.

Demhasaj: Në rast se diksutohet çështja e hapjes së kufinjve në Ballkan, atëherë këtu duhet patjetër të ketë një reciprocitet. Ai reciprocitet që çdo dokument që Kosova e njeh të Serbisë, të njëjtin duhet ta njohë edhe Serbia për Kosovën. Nuk mund të ketë as bashkëpunim ekonomik në aspektin e Mini-Shengenit, por nuk do të ketë as mundësi të hapjes së kufijve, nëse nuk do të ketë reciprocitet, sidomos sa i përket njohjes së mallrave, njëkohësisht edhe njohjes së dokumentave të ndërsjellta.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online, E.T