Kosova përkujtoi të shtunën dëshmorët e rënë 23 vjet më parë në luftën për liri dhe pavarësi.

Në Ditën e Dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bënë bashkërisht homazhet te varrezat e Jasharëve.

sinkron Osmani: Prekazi bëri bashkë një komb rreth kauzës së çlirimit

“E kemi borxh jo vetëm ne që kemi shumë të freskët kujtesën e 5,6,78 marsit por e kemi borxh që kujtesën historike dhe mbi të gjitha ndjenjën e mirënjohës së thellë ta bartim brez pas brezit në mënyrë që edhe fëmijët tanë por edhe fëmijët e fëmijëve tanë ta kujtojnë se sa i lartë ishte çmimi që pagoi populli shqiptarë që sot ta kemi shtetin tonë dhe sot ta gëzojmë lirinë tonë. Prandaj përjetësisht mirënjohës për këtë sakrificë dhe trimëri që treguan familja Jashari e që do të shërbejë si frymëzim për brezat të tërë që do të vijnë pas nesh,” u shpreh Osmani.

“Për këtë sulm shtetëror të Serbisë ndaj familjes legjendar Jasharaj askush nuk është gjykuar dhe nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë që dikush të dënohet. Drejtësia është vonuar sepse ajo as nuk ka filluar,” tha Kurti.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i bëri nderimet e i tij i shoqëruar nga disa anëtarë të qeverisë.

“Bashkë me anëtarët të kabinetit në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së jemi këtu për të treguar respektin tonë, të qeverisë, të gjithë qytetarëve të Kosovës, të popullit shqiptar për sakrificën e jashtëzakonshme të kësaj familje që është e përmasave historike dhe jam i bindur që tejkalon çfarëdolloj sakrifice që mund të bëj dikush për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, deklaroi Hoti.

Kompleksi përkujtimor “Adem Jashari” ndodhet në fshatin Prekaz, që në datat 5, 6 dhe 7 mars 1998 do të rrethohej nga forcat speciale serbe me objektivin fillestar për të kapur udhëheqësit e UÇK-së, por më vonë edhe për t’i eliminuar bashkë me familjet.

Kryetari i komunës Skënderaj, Bekim Jashari, me motrën e tij, Besarta, ishin të vetmit që i mbijetuan sulmit në familjen e komandant Hamëz Jasharit, njëherësh vëllai i Adem Jasharit.

“Një popull që kujton, nderon të kaluarën, sakrificën e popullit të vet, ai popull të ardhmen do ta ketë të sigurtë. Kështu që ne sot bëmë homazhe dhe nderime pranë dëshmorëve. E kemi për obligim dhe detyrë të punojmë, të jemi të kujdesshëm, të duam njëri-tjetrin, të ndihmojmë njëri-tjetrin, ta ndërtojmë dhe të zhvillojmë këtë vend për një të ardhme më të mirë”, deklaroi Jashari.

Ceremonitë me homazhe filluan në orët e mëngjesit edhe te memoriali i dëshmorëve në Marinë, ndjekur nga disa ekspozita përkujtimore, përpara ditës së fundit të Epopesë së UÇK-së, që kulmon të dielën.