Kosova të martën ka​ regjistruar 197 raste të​ reja me koronavirus dhe 3 jetë të tjera të humbura. Për shkak të situatës epidemiologjike, disa shkolla në vend kanë pezulluar mësimin normal, dhe kjo sipas autoriteteve për shkak të mungesës së disiplinës qytetare.

14 shkolla në Kosovë janë detyruar t’i zhvendosin orët e mësimit në internet pasi gati 280 nxënës dhe mësues po rezultojnë të infektuar me kovidin-19.

Lajmin për mbylljen e institucioneve arsimore e konfirmoi për “Radion Evropa e Lirë” Ministria kosovare e Arsimit dhe e Shkencës.

Shkollat prishtinase, si “Don Bosko” apo “Faik Konica”, do të zbatojnë skenarin e mësimit të kombinuar në distancë dhe në klasa, të ndara sipas grupeve dhe javëve të caktuara.

Në javën e fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 1,300 raste të reja me koronavirus dhe 3 viktima të tjera vetëm ditën e martë.

Mosdisiplinimi i qytetarëve vërehet si shkaktar kryesor i përhapjes së infeksionit, thekson ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, edhe pse vendi paraqitet relativisht mirë me situatën epidemike.

Zemaj: Do të ndërmarrim të gjitha masat.Grumbullimi i pa nevojshëm nuk i konvenon askujt, mos disiplina nuk i konvenon askujt, pa marrë parasysh çfarë pozicioni ka apo çfarë pozite ka në shoqëri. E keni pa një mesazh që e ka shpërnda edhe Ministria e Shëndetësisë mos i vritni familjarët e juaj, gjyshërit tuaj.

Gjatë një takimi me kryetarin e komunës së Prishtinës, ministri Zemaj paralajmëroi kufizime të reja dhe kërcënoi me sanksione ata të cilët nuk i respektojnë masat antikovid.

Ndërsa, kryekomunari Shpend Ahmeti tha se çështja e ndalimqarkullimit me orar apo e rikthimit të karantinës do të varet nga ndërgjegjësimi qytetar.

Njëkohësisht do të shtohen testet serologjike dhe hulumtimet për të zbuluar nëse Prishtina është apo jo afër arritjes së atij që njihet si imuniteti i tufës.

Ahmeti: Ideja është që në 3 mijë qytetarë të testuar me teste serologjike ta kuptojmë se cila është përqindja e qytetarëve të cilët e kanë pasur COVID-in. Në qoftë se del një numër për shembull 20 përqind atëherë ne e kuptojmë më mirë se sa kemi ndërtuar imunitet kolektiv dhe sa mund të ndikojë kjo në të ardhmen që ta ndalojë pak përhapjen e sëmundjes.