Udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut do të mblidhen javën e ardhshme për të zyrtarizuar ftesën ndaj Kosovës në këtë nismë të bashkëpunimit rajonal.

Lajmi u dha në Shkup nga kryeministri maqedonas Zoran Zaev gjatë takimit me homologun Avdullah Hoti.

Javën e ardhshme Kosovës do t’i dërgohet ftesa zyrtare për t’iu bashkuar nismës rajonale të mini-Shengenit. Një gjë e tillë do të ndodhë gjatë takimit të së premtes së ardhshme të krerëve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ftesa për Kosovën u paralajmërua gjatë vizitës në Shkup të kryeministrit Avdullah Hoti.

“Presim që Kosova t’i bashkëngjitet nismës së bashkëpunimit rajonal të cilën e udhëheqin Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia. Të premten e ardhshme do të kem një takim me kryetarin Vuçiç dhe kryeministrin Rama ku një nga pikat do të jetë kjo, me qëllim që të dërgojmë edhe një ftesë të përbashkët. Kjo para së gjithave është në interes të qytetarëve tanë për zbatimin e katër lirive të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, tha kryeministri maqedonas Zaev.

Kosova pranoi t’i bashkohet nismës së mini-Shengenit gjatë takimit të Uashingtonit, ku kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Serb Aleksandër Vuçiç u zotuan të realizojnë normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Ndërkaq, Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet që shumë shpejt të zhvillojnë dhe mbledhjen e përbashkët të qeverive me qëllim nxitjen e zhvillimit të ndërsjellë ekonomik.

 “Më vjen mirë që në mbledhje e përbashkët që kishim kemi një dakordim që të lëvizim përpara në disa ide, projekte që janë në interes të dy ekonomive tona. E mirëpres shumë idenë që të shkojmë drejtë ndërtimit të pikës së përbashkët kufitare. Lidhjen e Prishtinës me gazin këtu në Shkup me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtar që do të transferojmë rajonin në furnizimin me energji në këtë drejtim. Më vjen mirë që keni avancuar me procedura në ndërtimin e autostradës deri në kufi, ne e kemi përfunduar pjesën tonë. Besoj se duke avancuar edhe me pikën e kalimit kufitar ne e lidhim Prishtinën me Shkupin në më pak se 1 orë të lëvizjes. Gjithashtu mirë që ka gatishmëri edhe nga ana juaj për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e autostradës Tetovë-Prizren”, tha ai.

Kryeministri maqedonas Zaev tha se vizita e kryeministrit Hoti është dëshmi e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe. Krahas kësaj ai e përkrahu edhe marrëveshjen e Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.