I ftuar në PolitikOn nga Alfred Lela në RTV Ora, ish-ministri i Shëndetësisë Halim Kosova u shpreh se është diçka e gabuar që të pritet mjekimi i covidit në spitale dhe me anë të respiratorëve.

Kosova: Për mua është një defekt i sistemit shëndetësor nëse presim që ta mjekojmë covidin në spitale dhe te respiratorët. Suksesi i sistemit shëndetësor për mua është kur covidin e kap në shtëpi dhe e trajtojmë në shtëpi.

Sistemi parësor është shumë i cunguar. Në vitin 2004, OBSH thoshte se asnjë sistem shëndetësor nuk mund të funksionojnë nëse nuk është funksional sistemi parësor shëndetësor, pra të ketë kontakt së paku me një bluzë të bardhë. Kjo sot çalon.

Nuk rregullohet sistemi shëndetësor duke u përqendruar gjithçka në Tiranë dhe në spitalet Covid. Në shumë zona ka mangësi të shumta. Nga personeli i rretheve më thonë se është mbushur me të infektuar. Kjo shton kosto kur vijnë në Tiranë.