Në Kosovë qeveria dha 1 milion euro për të kompensuar dëmet e shkaktuar nga përmbytjet në banesa. Autoritetet kanë ngritur tani komisionet e vlerësimit dhe më pas pritet ndarja e fondeve nëpër komuna. Ndërkohë Ministria e Bujqësisë po vlerëson dëmet tek fermerët.

Qeveria në largim e Kosovës dha një milion euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në banesa, si pasojë e përmbytjeve që prekën Kosovën javën e parë të janarit.

Në njoftimin për mediat thuhet se Ministria e Pushtetit Lokal do të caktojë kriteret për kompensimin dhe do të themelojë një komision ndërministror për verifikimin, vlerësimin dhe koordinimin e procesit të ndarjes së fondeve për komunat.

Sipas vendimit të Qeverisë, dëmet në infrastrukturë do të mbulohen nga buxhetet komunale, ndërsa dëmet në bujqësi do të kompensohen nga buxhetet komunale dhe Ministria e Bujqësisë.

Javë më parë, Kosova u prek nga përmbytje të mëdha në disa zona. Dëmet e sakta nga to nuk dihen ende, pasi po vlerësohen nga komisionet komunale.

Prej disa javësh rajoni i Ballkanit është përfshirë nga reshje intensive shiu dhe dëbore që rritën prurjet në lumenj dhe në ujëmbledhës.

Gjithashtu gjatë kësaj jave priten reshje të dendura, për të cilat ekspertët kanë paralajmëruar rrezikun e përmbytjeve.