Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ia ka rikthyer edhe njëherë SPAK-ut hetimin për ish-drejtorin e burgut 313-të, Eduart Struga dhe përgjegjësin e sektorit të logjistikës në këtë institucion, Florian Ahmetaj, të cilët akuzohen për korrupsion.

Hetimet janë mbyllur rreth dy muaj më parë nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa pritej që çështja të dërgohej për gjykim.

Por Gjykata, ka vendosur të rikthejë edhe njëherë për plotësim të hetimeve dosjen e cila është cilësuar e paplotë nga ana e saj.

Sipas SPAK, Struga në bashkëpunim me shefin e Logjistikës, kanë kërkuar dhe marrë nga shtetasi I. Paço, si përfitim të parregullt një shumë prej 457.000 mijë lekë të reja me qëllim që ky i fundit të ushtronte aktivitetin e tregtimit të kafesë nëpërmjet makinetave të vendosura në burgun 313 në Tiranë.

Gjithashtu, sipas SPAK, Ahmetaj dhe Struga kanë pranuar ofertën e të hetuarit Ervin Kurtulla, që ky i fundit do të ju jepte përfitim të parregullt në këmbim të lidhjes dhe zbatimit të kontratës së qirasë por ky pretendim i SPAK, është kundërshtuar nga i pandehuri dhe avokatët e tij të cilët kanë pretenduar se Struga nuk është i përfshirë ne këtë ngjarje.