Në buletinin e sotëm të Ministrisë së Shëndetësisë raportohen sërish shifra të larta të të infektuarve, por edhe të viktimave që vijojnë të jenë dyshifrore.

Kështu gjatë 24 orëve të fundit janë kryer  4,013 testime ku janë shënuar 1184 rate të reja dhe kanë humbur jetën 13 qytetarë.

Po ashtu Ministria njofton se janë shëruar 796 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 63,329 që nga fillimi i epidemisë.

Gjatë ditës së sotme janë kryer 822 vaksinime anti-Covid, ndërsa nga fillimi i vaksinimit janë kryer 5791 vaksina.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe në dy spitalet rajonale po trajtohen 632 pacientë, 40 në terapi intensive nga të cilët 14 pacientë janë të intubuar.

Kryeqyteti vazhdon të kryesojë për sa i përket rasteve dhe më pas renditet Fieri, Durrësi, Vlora etj.

Nga nisja e pandemisë, Shqipëria numëron tashmë 100,246 të infektuar nga të cilët mbi 35 mijë aktivë, ndërsa 1666 qytetarë kanë humbur jetën.

COVID 19 – Statistika

Testime totale 440,490
Raste pozitive 100,246
Raste të shëruara 63,329
Raste Aktive 35,251
Humbje jete 1,666