Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë duket se ka vendosur në vështirësi institucionet e shëndetësisë.

Publicisti Veton Surroi ka shpërndarë në rrjetin e tij Facebook një foto të një pacienti në spital i cili merr mjekim në korridor për shkak se nuk ka vend për tu shtruar.

Për këtë ka vënë alarmin edhe një mjeke e njohur, drejtoresha e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Venera Berisha-Muharremi.

Përmes një postimi në Facebook ajo u bën thirrje të gjithë qytetarëve se do të vijë momenti që do të kurohen në oborret e spitaleve. Vetëm atëherë nuk do tu bjerë më në mend për kafe dhe ekonominë.

Situata në Kosovë mbetet serioze pasi ka një numër të lartë infektimesh çdo ditë, ku në raport me numrin e testimeve, është thuajse gjysma.

Në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 7 pacientë ndërsa u kryen 401 testime prej të cilave 239 rezultuan pozitivë.