Në një lidhje direkte për Ora News, mjeku dhe eksperti i Partisë Demokratike Gazment Koduzi ka komentuar situatën më të fundit me Covid-19 në Shqipëri.

Sipas tij, situata në vend paraqitet e vështirë dhe e rrezikshme për shkak të keqmenaxhimit nga ana e qeverisë.

“Situata në të cilën po gjendet Shqipëria, është një situatë e vështirë dhe e rrezikshme. Është e vështirë dhe e rrezikshme jo për shkak të numrit të të sëmurëve apo përhapjes së virusit por për shkak të keqmenaxhimit të situatës nga ana e qeverisë.

Tek ne nuk ka një valë të dytë. Ne kemi që në fillim të gushtit që jemi mbi 100 raste në ditë. Tashmë duket sikur ka më shumë raste, por ka më shumë testime. Deri në mes të shtatorit ka patur diku te 500 testime në ditë dhe ka patur 130-140 raste. Dje kishte 1300 testime dhe 300 e ca raste. Po të shohim në përpjestim të drejtë me rritjen e numrit të testimeve rriten edhe rastet. Por ajo që mbetet konstante është përqindja e pozitivitetit”, tha Koduzi.

Sipas Koduzit, spitali Covid 3 duhej të ishte në shërbim tashmë.

“Covid 3 duhej të ishte në shërbim tashmë. Duhej hapur 1-2 javë përpara, duhej të ishte punësuar personeli, duhej të ishin mësuar me procedurat. Çfarë do ndodhë aty? Si do lëvizë pacienti? Pra nuk është e lehtë të hapësh një spital. Spital Covid 3 nuk është mrekulli. 22 pacientë mban”, u shpreh eksperti i selisë blu.

Sipas Koduzit, rruga e vetme për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë është platforma me 5 pika e Partisë Demokratike.