Kjo e martë ka shënuar një numër të lartë të pacientëve të shtruar në dy spitalet Covid, ndërsa vijojnë të jenë shqetësuese rastet e reja me koronavirus. Këtë të martë u konfirmuan pozitiv me Covid-19, deputetët Ralf Gjoni, Eljo Hysko dhe Enver Roshi, të cilët mësohet se janë në gjendje të mirë në banesat e tyre.

Këtë të martë deputeti Ralf Gjoni ka deklaruar përmes një statusi në facebook se ka rezultuar pozitiv me koronavirus dhe se aktualisht ndodhet i izoluar në banesë pa shqetësime shëndetësore.

Gjithashtu mësohet se të infektuar me koronavirus kanë rezultuar edhe Eljo Hysko dhe Enver Roshi të vetëizoluar në banesë.

Në këto kushte parlamenti ka vendosur që të kufizohet kohëzgjatja e seancave plenare dhe koha e diskutimeve.

Kjo e martë ka shënuar një rritje të numrit të pacientëve në dy spitalet Covid si dhe shtim të rasteve në terapi intensive.

“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 123 pacientë, 22 janë në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar.”

Fatkeqësisht në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 4 qytetarë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërsa janë konfirmuar pozitiv me koronavirus 117 qytetarë.

Në 24 orët e fundit janë shënuar 4 viktima duke e çuar në 148 numrin total të vdekjeve. Ndërkohë, janë kryer 507 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga ku kanë rezultuan pozitivë 117 persona.”

Aktualisht në vendin tonë janë 2060 raste aktive, ndërsa janë shëruar 2789 qytetarë.

Përdorimi i maskave dhe ruajtja e distancës janë e vetmja mënyrë për të ndërprerë përhapjen e koronavirusit.