Koronavirusi i ri ka infektuar më shumë se 30 milionë njerëz që prej përhapjes në gjithë botën nga fundviti i kaluar.

Mbi 940 mijë persona kanë mbetur viktimë e sëmundjes së kovidit-19.

Vendet më të goditura janë tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India dhe Brazili, por ka rritje të numrit të të infektuarve kudo nëpër Europë.

Me afrimin e dimrit, shumë vende po përgatiten për një valë të dytë të pandemisë.

“Shifrat janë të pakundërshtueshme: takimet me familjen dhe miqtë janë burimet më të mëdha të infeksionit. Infektimi ndodh mes të rriturve më shumë, ose nga i rrituri te fëmija, por rrallë mes dy fëmijëve apo nga fëmijët te të rriturit. Ky është informacion i rëndësishëm që duhet pasur parasysh kur mendojmë për shkollat fillore, kopshte dhe çerdhe,” deklaroi të enjten Olivier Veran, ministri francez i Shëndetësisë.

Në vendin e tij, 5 në çdo 100 veta po rezultojnë tani bartës të sëmundjes infektive, krahasuar me 1 në 100 në ditët e para të verës.

10,500 rastet e konfirmuara brenda ditës shënuan një rekord të ri për Francën, ndërkohë që në Spanjë këtë fundjavë janë paralajmëruar izolime në zona të caktuara urbane, që pritet të pasohen në muajin tetor edhe në Britania, ku infeksioni po ashtu po përhapet.

Në Rusi, ndërkaq, vijon fushata e vaksinimit vullnetar.

Vaksinën ruse “Sputnik V” është produkti i parë në botë i miratuar zyrtarisht si i sigurt për njerëzit dhe që tani po i nënshtrohet fazës finale të testimit.

“Vaksina ka dy komponentë. Në fillim, pacienti merr dozën e parë dhe 21 ditë më pas, një dozë të dytë. Me të parën nxitet prodhimi i antitrupave, ndërsa e dyta, përforcon efektin e tyre.”

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, jeta në botë nuk pritet t’i kthehet normalitetit para vitit 2022, pasi vetëm atëherë do të ketë mjaftueshëm persona të imunizuar nga koronavirusi i ri.